Rritja e numrit të infeksionit me COVID-19, ka bërë që qeveria të ndërmarr masa rigoroze, duke rikthyer karantinën në vikend për kryeqytetin dhe 6 qytete tjera. Derisa, implementimi i këtyre masave po gjen përkrahje të madhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi thotë se vendosja e këtyre masave është e bazuar në rekomandimet që vinë nga IKShPK.

Ibrahimi:Të gjitha këto masa janë të bazuara në rekomandimet që vinë nga IKShPK

“Kryetarët e komunave prioritet e kanë shëndetin publik, duke mos e anashkaluar edhe shëndetin ekonomik dhe vlerësojnë çdo masë, çdo veprim i cili shpëton jetën e qytetarëve….Të gjitha këto masa janë të bazuara në rekomandimet që vinë nga IKShPK”, ka thënë ai.

Në intervistën për KosovaPress, Ibrahimi ka komentuar edhe protestën e sotme të gastronomeve, për çka thekson se kjo e fundit së bashku me institucionet publike janë burime i infeksionit.

Ibrahimi: Gastronomia dhe institucionet publike janë burime të infeksionit

“Kryetarët e komunave duke e parë që përqindje jashtëzakonisht e madhe e të rinjve të Kosovës janë të punësuar në sektorin e gastronomisë, atëherë kanë kërkuar edhe hapjen e gastronomisë. Mirëpo gjatë ndryshimit të klimës atëherë edhe rrethanat kanë ndryshuar, përpara gastronomet më shumë i kanë shfrytëzuar terasat për të punuar, tash po shfrytëzohen ambientet e mbyllura për të operuar dhe kjo ndoshta ka qenë shkaktar në atë kuptimin është konstatuar edhe nga IKShPK-ja që gastronomia dhe institucionet publike janë burime të infeksionit dhe për këtë arsye është kërkuar të merren masa të reja ndaj këtyre 2 sektorëve”, thotë ai.

Kurse, sa i përket mospërfshirjes së shkollave në shtrëngimin e masave, Ibrahimi vlerëson se këto të fundit nuk janë burim i infeksionit.

Ibrahimi: Kemi konstatuar se shkollat nuk janë burim i bartjes së infeksionit

“Sa i përket shkollave në nivel vendi situata është e menaxhuar shumë mirë, përqindja e të të infektuarve në raport me përqindjen e të të infektuarve në tërësi nga shkollat nuk është e lartë dhe për këtë arsye kemi konstatuar se shkollat nuk janë burim i bartjes së infeksionit. Për këtë arsye shumica e shkollave në vend janë të hapura dhe 100 % funksionale”, thotë Ibrahimi për KosovaPress.

Ibrahimi ka bërë të ditur se në fillim të javës do të ketë takim në mes të këshillit të kryetarëve dhe ministrit Zemaj, në të cilin thotë se do të rivlerësohet situata rreth shtrëngimit apo lirimit të masave.

Ibrahimi: Do të mbajmë takim me këshillin e kryetarëve dhe ministrin Zemaj

“Do ta kemi një takim të shpejtë si këshill i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës me ministrin Zemaj gjatë fillimit të javës së ardhshme ku do të diskutohet për masat që duhet të ndërmerren rreth shtrëngimit apo lirimit të masave”, deklaron ai.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka thënë se së bashku me IKShPK-në po përcjellin situatën epidemiologjike. Derisa ka theksuar nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve të reja në komunat të tjera, ato do të mbyllen.

Share.