Radiostacioni lokal i Gjakovës Radio Gjakova, sot shënon 41-vjetorin e nisjes së punës.

Qyteti i Gjakovës i njohur për traditën në fushën e arsimit dhe kulturës ndër shekuj, në mbarim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, u pasurua edhe me mediumin e parë radiofonik, Radio Gjakovën, themeluar nga Kuvendi i Komunës.

Radio Gjakova filloi të dëgjohet në eter më 9 nëntor 1979 si medium i parë i informimit lokal në Gjakovë. Që nga ajo ditë, zëri i Radio Gjakovës u bë pjesë e pandashme e përditshmërisë gjakovare, duke pasqyruar në mënyrë të denjë dhe të besueshme realitetin dhe rrjedhën e ngjarjeve në komunë, deri më 1991 kur serbët dëbuan me dhunë punëtorët e kësaj radioje nga puna, duke u imponuar qytetarëve të Gjakovës, me afro 97 % shqiptarë, radio program në gjuhën serbe.

Me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë dhe të UÇK-së, më 14 qershor 1999, Radio Gjakova ishte e para radio në Kosovë, që rifilloi punën duke i dhënë kështu popullatës një ndihmesë të madhe, në të gjitha drejtimet, në fazën e emergjencës. /TV Malisheva

Share.