Rruga “Ibrahim Mazreku”, përkatësisht pjesa e hyrjes jugore në qytetin e Malishevës, është duke u rregulluar, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, duke filluar me ndriçim, kanalizimet për ujërat e zeza dhe ujërat e shiut dhe trotuari. Punimet në këtë rrugë, sot i kanë inspektuar drejtori i urbanizmit Ahmet Morina dhe shefi i prokurimit, Nuhi Shala, ku janë njoftuar me ecurinë e punimeve dhe realizimin e projektit sipas kontratës dhe paramasave.
“Kjo rrugë ka qenë prioritet i drejtorisë së urbanizmit, dhe tani janë duke u realizuar punimet sipas planifikimeve, me qëllim të rregullimit të hyrjes në qytet, e mbi të gjitha për të krijuar edhe siguri në këtë rrugë, pasi përmes rregullimit të kanalizimit të ujërave të zeza dhe ujërave atmosferik, e bashkë me këtë edhe trotuari dhe ndriçimi, nuk do të ketë dalje të ujërave në rrugë, e po ashtu edhe hapësirë dhe ndriçim për këmbësorët”, ka thënë drejtori Morina, gjatë inspektimit të punimeve.
Morina, gjithashtu është ndarë i kënaqur me ecurinë dhe cilësinë e punimeve që janë duke u realizuar në këtë rrugë, e rregullimi i saj, ka qenë një kërkesë dhe nevojë e domosdoshme, pasi në këtë pjesë shtrihen shumë objekte me rëndësi, siç është objekti i shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit, objekti i pylltarisë dhe objekte të ndryshme afariste, e po ashtu është një prej rrugëve më të ngarkuara me qarkullim të automjeteve.
Rregullimi i ndriçimit, kanalizimit dhe trotuari në hyrje-daljen jugore të Malishevës, mundësohet nga buxheti i Komunës së Malishevës.