Ish-anëtari Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi është deklaruar i pafajshëm para Dhomave të Specializuara në Hagë, lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj tij për pretendime për krime lufte. Mbrojtja e tij bëri të ditur se do të kërkojnë lirimin e tij të përkohshëm, meqë siç tha ai, Selimi nuk paraqet rrezik për arratisje.

Në seancën e parë dëgjimore në Hagë, Selimi tha se është vetëm një çlirimtar që ka kryer detyrën e tij për çlirimin e vendit nga okupatori serb. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës tha para gjykatësit se luftën e ka nisur me Adem Jasharin dhe e ka përfunduar me NATO-n.

Selimi: Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës

“Unë zakonisht i deklaroj ato çka i ndjej por po e përsërisë edhe njëherë për procedurë, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Selimi kur gjykatësi kërkoi që të deklarohet rreth pafajësisë ose fajësisë së tij.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Rexhep Selimi tha se Serbia ka kryer vrasje, dhunime dhe gjenocid në Kosovë.

Selimi: Luftën e nisa me Adem Jasharin dhe e përfundova me NATO-n

“Kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore, kundër asaj Serbie që vetëm të këqija i ka sjellë vendit tim. Vrasje, dëbime, dhunë, shfarosje, poshtërim, spastrim etnik e gjenocid ka bërë Serbia në Kosovë. Andaj unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim, unë jam veç një çlirimtar, që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin Clark, me NATO-n”, tha ai.

Selimi ka treguar pse, si deputet i Kuvendit të Kosovës, e ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale, që sipas tij, e njëjta ka ardhur nga Serbia, përmes senatorit Dick Marty, si kundërpeshë ndaj pavarësisë së legjitimuar të Republikës së Kosovës.

Selimi: Serbia, përmes Dick Marty-it, nxori raport si kundërpeshë ndaj pavarësisë së legjitimuar të Kosovës

“Vetëm pak muaj pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Serbia përmes senatorit Dick Marty nxorën një raport si kundërpeshë ndaj drejtësisë, dhe veçanërisht, si kundërpeshë ndaj pavarësisë së legjitimuar të Republikës së Kosovës. Andaj mendoja që nuk do të duhej të ngitej një gjykatë mbi synime të hapura anti-shqiptare dhe anti-Kosovë. Sidoqoftë, ja ku jemi, kjo gjykatë tani është një fakt, e unë sot këtu nuk jam si deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë por jam si një luftëtar i UÇK-së, dhe si një ndër themeluesit e saj, përballë një aktakuzë të ngritur nga ana e Prokurorisë dhe konfirmuar nga ju i nderuar gjykatës, i vetëdijshëm për rëndësinë dhe seriozitetin e kësaj çështje”, tha ai.

Ish-deputeti i Kosovës tha se aktakuza e ngritur ndaj tij është e padrejtë dhe ndaj të gjithë popullit të Kosovës.

Selimi: Procesi do të dëshmojë se ishim popull i shtypur që luftuam për liri

“Rolet këtu i kemi të ndara, jemi palë të ndryshme, por më bëni të besoj se po ashtu qëllimi i gjithë neve këtu do të jetë drejtësia, e mbi të gjitha e vërteta. E pash aktakuzën e ngritur nga ana e prokurorisë, ishte aktakuzë e rëndë, voluminoze po shumë e padrejtë, e pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje por e padrejtë edhe ndaj luftës së populli tim dhe shtetit prej nga vij unë. Por vet ky proces do ta dëshmojë se ishim një popull i shtypur që luftuam për liri, lufta e popullit tim ishte drejtë, çlirimtare, me qëllime të drejta e fisnike, bëmë një luftë të pastër e të drejtë dhe se kjo luftë do të jetë e tillë dhe pas këtij procesi. Sepse secili që ka dyshime do të bindet që as unë e as UÇK nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”, tha ai.

Avokat kryesor i Selimit do të jetë David Young, por për shkak të koronavirusit, ai nuk ishte i pranishëm në seancën e parë.

Por, avokati Robert Kaarls që e përfaqësi sot Selimin, tha se në ditët në vijim do të dorëzojnë kërkesën për lirimin e përkohshëm të tij, duke shtuar se nuk ka indikacione që Selimi paraqet rrezik për arratisje apo ndikim te dëshmitarët.

Kaarls: Nuk ka indikacione që Selimi mund të arratiset

“Ne do të bëjmë një kërkesë për lirim të përkohshëm, por desha të theksoj diçka lidhur me këtë temë, mbajtja në paraburgim apo arrestimi duhet të bëhet edhe mbi baza solide, e kjo është nëse ka rrezik të arratisjes. Dua të theksoj që klienti im ka bashkëpunuar edhe më parë, e ajo çka tha tani për mënyrën e arrestimit javën që shkoi, u kontaktua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ai u dorëzua vet. Këto janë indikacione solide që nuk ekziston rreziku i arratisjes. Çfarëdo që mendon ai për këtë proces, për këtë gjykatë, nuk ka asnjë lloj indikacioni që ai do të influencojë të dëshmitarët apo do të asgjësojë provat apo diçka të tjetër”, tha mbrojtja.

Selimi, i cili në kohë ne luftës ka udhëhequr Drejtorinë e Operacioneve, ka udhëtuar për në Hagë më 5 nëntor 2020.

Një ditë më vonë hetuesit e Speciales në bashkëpunim me EULEX-in bastisën shtëpinë e tij në Prishtinë.

Share.