Mënyra më e mirë e parandalimit të virusit të gripit është vaksinimi me vaksinën kundër gripit. Vaksinimi mbron vetë personin si dhe ndihmon në mos përhapjen e gripit.
Vaksinimi çdo vit është e rëndësishme pasi virusi i gripit është i paparashikueshëm, pasi viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe imuniteti nga vaksina e bërë bie me kalimin e kohës.
ISHP rekomandon kryerjen e një vaksine ndaj gripit çdo vit, si mënyra e parë dhe më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi.
Vaksina e gripit mund të reduktojë sëmundjet prej gripit, vizitat tek doktori, mungesat në punë dhe në shkollë prej gripi, si dhe parandalon shtrimet në spital si rrjedhojë e gripit.
Vaksina kundër gripit duhet ta bëjnë të gjithë individët në risk të lartë për të zhvilluar komplikacione të rënda ndaj gripit si:
Fëmijët mbi 6 muaj
Gratë shtatzëna
Individë me sëmundje kronike si astma, diabeti, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje pulmonare si dhe individët e moshës mbi 65 vjeç.
Vaksinimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor është shumë i rëndësishëm për të mbrojtur vetveten dhe sidomos pacientët të cilët janë në grupet në risk.
Nuk duhet të vaksinohen me vaksinën kundër gripit:
Persona qe kanë alergji nga veza
Persona në gjendje akute me temperaturë
Persona që kanë pasur reaksione të mëparshme
Fëmijët nën 6 muajsh