Ndryshimi i bazës së ekipit, transferimi me bollëk i lojtarëve të rinj dhe besimi te disa lojtarë me përvojë doli të jetë strategji e gabuar nga ana e trajnerit Tahir Batatina dhe stafit të tij.

Kjo së paku konfirmohet deri në javën e 16-të të Superligës së Kosovës.

Llapi e nisi mirë edicionin e ri, pasi sezonin e kaluar humbi betejën për titull falë formës fantastike të Feronikelit. Skuadra nga Podujeva kishte objektiva të qarta, të synohej titulli kampion dhe dalja në Evropë, shkruan lajmi.net.

Këto deklarata janë përsëritur herë pas here nga Batatina, i cili fatkeqësisht deri tani ka pasur më shumë fjalë sesa vepra.

Por jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar. Pas 16 xhirove të zhvilluara, Llapi mban pozitën e shtatë me 24 pikë. ‘Bardhekaltërit’ janë 10 pikë larg nga pozita e parë që mbahet nga Ballkani (34), dhe vetëm tetë sosh larg nga vendi që të dërgon në Ligën e Parë.

Kjo i bie që skuadra llapjane është më afër rënies nga liga sesa fitimit të saj.

Javën e ardhshme, Llapi luan kundër Flamurtarit dhe fitorja është detyrim për lojtarët, sidomos pasi një rezultat negativ do t’i rrezikonte edhe më shumë ata në pjesën e poshtme të tabelës.

Ndryshe, Llapi është ankuar vazhdimisht në gjyqtarë, duke aluduar se po dëmtohet me tendencë.

“Ky është kampionati më kriminal i pasluftës”, deklaroi trajneri Tahir Batatina pas ndeshjes me Dritën.

Objektiv tjetër i Llapit është Kupa e Kosovës, ku ka punë mjaft të vështirë pasi që shorti e ka ballafaquar me Feronikelin.

Share.