Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka njoftuar zyrtarisht presidentin Hashim Thaçi se si shef i koalicionit PAN nuk do të propozojë asnjë kandidatë të ri si mandatar për të formuar një qeveri të re.
Ai tutje në letrën e dërguar Thaçit, ka potencuar se duke u bazuar në rrethanat aktuale, vullnetin politik të shprehur nga partitë fituese, zgjedhjet janë opsioni më i mirë për vendin.
Ndërkohë Veseli përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në cilësinë e kryetarit të Kuvendit e ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të hënën e në të cilën do të diskutohet për shpërndarjen e Kuvendit.
“Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, edhe tash, e në të ardhmen, i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar”, ka deklaruar Veseli.
Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të re, që punon për zhvillim të hovshëm ekonomik, që e lufton korrupsionin pa kompromis, që u ofron perspektivë të rinjve në Kosovë, që garanton mundësi të barabarta për të gjithë dhe që sjell më shumë të reja e të rinj, ndërmarrës e intelektualë, në lidershipin institucional, për ndryshimet e mëdha që janë të domosdoshme.
Sipas tij, Mbledhje e Kryesisë ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme.
“Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, edhe tash, e në të ardhmen, i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar. Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të re, që punon për zhvillim të hovshëm ekonomik, që e lufton korrupsionin pa kompromis, që u ofron perspektivë të rinjve tanë këtu, në Kosovë, që garanton mundësi të barabarta për të gjithë dhe që sjell më shumë të reja e të rinj, ndërmarrës e intelektualë, në lidershipin institucional, për ndryshimet e mëdha që janë të domosdoshme”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës është i obliguar edhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për tejkalimin legal dhe institucional të situatës aktuale.
Veseli shton se, shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime.
Sipas tij, është në interesin e qytetarëve dhe të shtetit që të lëvizim shpejt në drejtim të legjitimimit të ri të institucioneve, dhe kjo sipas tij, mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve demokratike.
“Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme që vendi sa më shpejtë të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Republika e Kosovës ndodhet para sfidave të mëdha, përballja me të cilat del e suksesshme vetëm duke pasur institucione legjitime dhe Qeveri të zgjedhur nga vota e lirë qytetare”, ka shkruar ai.
Veseli ka shtuar se nuk kanë kohë për të humbur, derisa ka siguruar që Kosova ka të gjitha kapacitetet e nevojshme institucionale dhe përvojën e dëshmuar për të organizuar një proces zgjedhor në përputhje të plotë me standardet më të larta demokratike.
“Është koha për të dëgjuar vullnetin e sovranit”, ka përfunduar Veseli.