Në prag të shënimit të festës kombëtare të 28 Nëntorit, krahas disa aktiviteteve tjera, sot në fshatin Astrazup, është bërë përurimi i sallës së sporteve për shkollën e fshatit. Në ceremoninë e hapjes së sallës, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, tha se “kjo sallë po hapet si një mundësi më shumë për sportistët e rinj, në kohën kur sporti në Malishevë është duke kulmuar me arritje dhe suksese të mëdha në shumë disiplina”.

Në ceremoninë e përurimit, edhe pse me numër të kufizuar për shkak të situatës pandemike, morën pjesë, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrahim Morina, drejtori i DAE, Blerim Thaçi, drejtori i urbanizmit Ahmet Morina, zyrtarë tjerë të qeverisë komunale, të cilët janë pritur nga drejtoresha e shkollës, Afërdita Morina, të cilët edhe e kanë prerë shiritin solemn të hapjes së sallës së sporteve.

“Ndërtimi i kësaj salle të sportit, vjen në një kohë kur të gjithë po përballemi me një situatë të rëndë pandemike, por pavarësisht kësaj situate, qeveria komunale ka vazhduar punën në realizimin e investimeve kapitale, përfshi edhe ndërtimin e kësaj salle të sportit, e cila është ndërtuar për ju nxënës dhe të rinj të Astrazupit, në një kohë kur sporti në Komunën e Malishevës, është duke kulmuar me rezultate dhe suksese, në shumë disiplina, dhe kjo sallë është një mundësi më shumë për sportistët e rinj”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha në fjalën e rastit.

Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, i ka përgëzuar të gjithë për ndërtimin e sallës, e cila do të shërbej për rritjen e cilësisë por edhe për të gjithë të rinjtë. Po ashtu edhe drejtoresha e shkollës, Afërdita Morina, e ka falënderuar komunën për këtë investim, me rëndësi të veçantë.

Sipas drejtorit të Urbanizmit, Ahmet Morina, Salla e sporteve në Astrazup, ka kushtuar rreth 250 mijë euro dhe është ndërtuar me buxhetin e Komunën së Malishevës.

Share.