Ka filluar asfaltimi i rrugës së gjatë 700 metra në fshatin Lalzicë, përkatësisht rruga e lagjes së Dobrunëve, e po ashtu ka filluar edhe hapja e një rruge të re në fshatin Vërmicë, të Komunës së Malishevës. Rruga në Vërmicë, është një rrugë e gjatë afër 600 metra e cila lidhë dy lagje të këtij fshati, përkatësisht lagjen e Kastratëve me lagjen e Ukajve.
Asfaltimin e rrugës në Llazicë dhe hapjen e rrugës në Vërmicë, e kanë inspektuar sot nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori komunal i urbanizmit, Islam Vrenezi, të cilët janë takuar edhe me banorët e këtyre vendbanimeve.
“Këto investime janë në kuadër të realizimit të planifikimeve tona komunale dhe në kuadër të investimeve në infrastrukturën rrugore në vendbanimet e Komunës së Malishevës. Të dy këto rrugë kanë rëndësi të madhe për banorët, pasi shkurtojnë rrugët për lidhjet mes lagjeve dhe fshatit, si dhe krijon siguri në lëvizje, sidomos për nxënësit në të dy fshatrat”, tha nënkryetari Berisha, gjatë inspektimit të punimeve në Llazicë dhe Vërmicë.
Drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, ka bërë të ditur se rruga në Llazicë, ka gjatë prej 700 metrave, ndërsa rruga që lidhë dy lagjet në Vërmicë, është afër 600 metra, dhe në këtë të fundit, është duke u zgjeruar rruga, do të krijohet baza e nevojshme dhe në fund do të asfaltohet.

Share.