Pas vlerësimit të inxhinierëve dhe drejtuesve të Institutit të Ndërtimit, spitali i Durrësit rezulton pa dëmtime strukturore, por me dëme që do të riparohen menjëherë.
“Sapo morëm vlerësimin nga ekspertët që nuk ka dëmtime strukturore të spitalit dhe puna do të vijojë normalisht, vetëm do të bëjmë një zhvendosje të hyrjes së urgjencës deri në riparimin e dëmeve”, tha Manastirliu në prononcimin e dhënë për mediat.
Duke vlerësuar punën e palodhur të stafeve mjekësore, Manastirliu tha se do të vijojë gjendja e gatishmërisë në spitale me staf të përforcuar.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte gjatë pasdites në spitalin e Durrësit.
Lulzim Basha: Arsyeja e rikthimit tim në këtë spital është për të parë gjendjen tek Reparti i Urgjencës, kryesisht, pas tërmetit. Pas goditjes së orës 12.00, gjendja paraqitet stabël. Është bërë një kontroll nga ekspertët, nga inxhinierët strukturorë, të cilët e kanë certifikuar se mund të vazhdojë punën.
Dua të shpreh mirënjohjen time dhe mbështetjen totale për personelin shëndetësor të Spitalit të Durrësit, nga drejtuesja e spitalit, tek mjekët, tek infermierët, personeli sanitar, personeli ndihmës, të cilët janë heronj të vërtetë, sepse kanë përballë një volum të jashtëzaknshëm në kushte shumë të vështira.
Mirënjohje kam edhe për personelin, që është i pranishëm, për të përforcuar punën e tyre dhe për ekipet e ardhura nga jashtë, të cilët siç i patë edhe vetë, po ndihmojnë sa munden me praninë e tyre.
Mendjet dhe zemrat tona janë me familjet e të lënduarve, me të lënduarit dhe me të gjithë ata që po japin ndihmën e tyre të pakursyer në këtë orë të vështira për Durrësin dhe qytetarët e Durrësit.