9 mijë e 577 të cilët nuk kanë arritur të kalojnë me sukses provimin e Maturës Shtetërore, një mundësi të dytë do të kenë në afatin e gushtit, kur edhe është përcaktuar të mbahet pjesa e parë e afatit të dytë të provimit të maturës.
30 gushti dhe 7 shtatori janë datat kur do të mbahet afati i dytë i provimit të maturës shtetërore. Të drejtë nënshtrimi në këtë provim kanë edhe 270 nxënës të cilët kishin thyer rregullat gjatë afatit të parë të provimit të maturës shtetërore.
Me vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, provimi i Maturës Shtetërore do të mbahet më katër lëndë, tri lëndë obligative dhe një lëndë me zgjedhje.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj për KosovaPress, bënë të ditur se paraqitja e provimit të maturës do të bëhet prej 15 gusht deri më 23 gusht.
Hysenaj: Më 30 gusht mbahet pjesa e parë e Provimit të Maturës
“Pjesa e dytë ose siç njihet ndryshe afati i gushtit, pjesa e parë do të mbahet më 30 gusht, është ditë e premte, ndërsa pjesa e dytë më 7 shtator, ditë e shtunë… Paraqitja duhet të bëhet deri më 23 gusht. Më 15 gusht fillon për ata të cilët nuk janë në riprovime. Po për ata që janë ën riprovime, do të kenë afatin e fundit më 23 gusht, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësinë që të jenë pjesë e provimit të maturës shtetërore”, bënë të ditur ai.
Të përjashtuar nga afati i dytë nuk do të jenë as ata që ishin zënë duke kopjuar afatin e parë, e që janë rreth 270 nxënës.
E për ata nxënës që janë zënë duke kopjuar në afatin e parë të provimit të maturës, Hyenaj thotë se nuk do të përjashtohen nga një mundësi e dytë në afatin e gushtit.
Hysenaj: Ata që kopjuan nuk përjashtohen nga një mundësi e dytë në afatin e gushtit
“Atyre nuk iu ka mundësuar faktikisht, nëse janë përjashtuar në pjesën e parë, të hyjnë as në të dytën, dhe ata do të kenë të drejtë t’i nënshtrohen afatit të gushtit pa problem”, thotë ai.
Sa i përket numrit të madh, prej afër 10 mijë, të nxënësve që nuk arritën të kalojnë provimin e maturës shtetërore në afatin e qershorit, Hysenaj thotë se është rezultat i një administrimi shumë të mirë, teksa nuk mohon mungesën e cilësisë në shkolla dhe faktin se numër i konsiderueshëm nxënësish që nuk e kalojnë maturën shtetërore janë nga drejtimet profesionale.
Hysenaj: Administrimi i mirë i provimit të maturës ka bërë që rezultatet të jenë sa më reale
“Korpusi i nxënësve të cilët nuk e kalojnë maturën shtetërore, shumica janë nga drejtimet profesionale dhe për ato drejtime matura nuk është edhe e obligueshme sepse ata e marrin një diplomë që e kanë kryer shkollën e mesme. Mirëpo, me atë diplomë nuk kanë mundësi që t’i nënshtrohen provimeve pranuese në universitete apo në kolegje, kështu që meqenëse tregu i punës nuk po arrin që t’i absorbojë të gjithë ata, atëherë ne u kemi mundësuar edhe atyre që të hyjnë në testin e maturës. Ne kemi mbajtur mënyrën e administrimit shumë më mirë dhe kjo ka rezultuar që rezultatet të jenë sa më reale dhe e kemi arritur këtë”, thotë Hysenaj.
E sa i përket zhurmuesve, ai thotë se ende nuk dihet nëse do t’i sigurojnë për këtë afat, pasi nuk e kanë konfirmimin e Bankës Botërore për këtë.
Hysenaj: Kanë filluar procedurat për zhurmues, por nuk dihet nëse do t’i kemi për këtë afat
“Për shkak të procedurave që janë pak më të ndjeshme, përmes komponentës të Bankës Botërore janë filluar procedurat, mirëpo ato specifikat e reja që janë bërë për këta zhurmues nuk po na sigurojnë që në këtë kohë të kemi mundësi, për shkak të procedurave të stërzgjatura të prokurimit. Por, është duke vazhduar si proces. Nëse bëhet do të ketë”, thotë ai.
Për ata që kapen duke kopjuar, ai thotë se do të marrin masa, ashtu siç kanë marrë edhe herëve të kaluara.
Ai bën të ditur se afatin e kaluar kanë suspenduar disa administrues, të cilët nuk do të mund të ushtrojnë këtë detyrë më. Pesë prej tyre, Hysenaj thotë se janë dënuar me një gjobë prej 300 euro, ndërsa tre prej tyre janë dënuar me mos-ushtrim të këtij funksioni.
Megjithatë, thotë se procesi i testimit në afatin e gushtit do të shkojë më mirë. Teksa tregon pritshmëritë që ka nga afati i gushtit.
Hysenaj: Pres mbarëvajtje në procesin e afatit të dytë të maturës shtetërore
“Në afatin e qershorit ka qenë procesi më i rregullt deri më tani dhe kështu do të vazhdojë edhe në afatin e gushtit. Ne do të kemi takime me komisionerë, monitorues, në mënyrë që në ato sesione informuese të kemi një lloj analize të pjesës së parë dhe të japim detyrat strikte në pjesën e dytë. Ajo çka unë i sugjeroj maturantët, që të llogarisin në vetvete, të përgatiten sa më mirë, kanë kohë të mjaftueshme dhe paraqitjen e provimit duhet ta bëjnë patjetër… Pres që të gjitha punët që i kemi planifikuar si Komision Shtetëror i Maturës, por edhe Divizioni, i cili është përkatës për këtë qëllim, si dhe DKA-të, të cilat e luajnë një rol të rëndësishëm, të shkojnë sipas planit dhe të ketë një mbarëvajtje edhe më të mirë”, thotë Hysenaj.
Krejt në fund, Hysenaj porositë prindërit që të këshillojnë fëmijët e tyre që do t’i nënshtrohen provimit të maturës në afatin e gushtit, që ditën e provimit të mos kenë me vete pajisje të ndaluara, siç janë telefonat e mençur.