“Hyr në llogore, hyr në llogore. Ja ku e ke armikun, 200 metra larg teje, në shkurre (…)”, thotë një zë mashkulli, përderisa një ushtar i animuar i ik predhës virtuale.

“U vra. Snajperisti duket se po na sheh qartë nga ajo shkurre. Më mbuloni që të vrapoj dhe të hedh bombën”.

Pas disa sekondash dëgjohet një shpërthim, por të shtënat vazhdojnë.

Kjo nuk është nga ndonjë film lufte, por bisedë e një grupi lojtarësh që po luanin një video-lojë, në të cilën një nga misionet është që pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Srpska të parandalojnë forcat kroate të kryejnë operacionin ushtarak-policor “Stuhia”, i cili në jetën reale ndodhi në gusht të vitit 1995.

Sipas një hulumtimi nga Radio Evropa e Lirë (REL), në internet mund të gjenden disa video-lojëra në të cilat simulohen konfliktet ushtarake, që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, e aty, si pjesë e misioneve, gjithashtu mund të “luhen’ edhe krimet e luftës.

Aktualisht, platforma më e famshme në Serbi është “Arma Srbija”, ku përdoruesit mblidhen për të luajtur njëkohësisht në kohë reale në internet.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturën video-lojë, qitësi i parë, (First-personshooter – FPS), në të cilën lojtarët janë pjesë e një ushtrie të caktuar dhe luftojnë kundër robotëve kompjuterikë, që drejtojnë një ushtri rivale.

Ata publikojnë lojërat e tyre (lojtarë të video-lojërave) në platformën YouTube më të njëjtin emër, e cila ka rreth 2,400 ndjekës.

Kështu, më 23 tetor, u publikua një video e grupit me titull “Lufta aktuale: Operacioni Anti-terrorist në Rahovicë”. Lojtarët janë të veshur me uniforma të maskuara me shenjat e policisë serbe.

Loja zhvillohet në zonën e fshatit afër Preshevës, në jug të Serbisë dhe në përshkrimin e videos thuhet se operacioni, “pasoi provokimet e terroristëve shqiptarë pranë Rahovicës më 13 maj 2001”.

“Në atë ditë, nga drejtimi i rajonit Loki, në 6:10 të mëngjesit, u hap zjarr kundër këmbësorisë në një kodër mbi Rahovicë. Më vonë, në orën 7:00 të mëngjesit, nga drejtimi i fshatit Rahovicë, ekstremistët hapën zjarr ndaj pozicioneve të forcave të sigurisë”, thuhet në përshkrimin e misionit. Videoja ka rreth 900 shikime.

Presheva ndodhet në jug të Serbisë, dhe sipas regjistrimit të fundit, rreth 80 për qind e popullsisë janë shqiptarë.

Operacioni “Rahovicë” në jetën reale ka ndodhur në maj të vitit 2001, kur forcat e armatosura jugosllave rrethuan fshatin etnikisht shqiptar Rahovicë, duke marr kontrollin mbi këtë fshat që kontrollohej nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Njëri nga misionet e “Arma Srbija” është edhe “Operacioni Jashari”, i cili simulon veprimin e policisë serbe në mars të vitit 1998, kur u vra njëri nga komandantët e UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), Adem Jashari, së bashku me më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij.

“Detyra jonë është që të likuidojmë Adem Jasharin”, thuhet në përshkrimin e videos, e cila është publikuar në mars të vitit të kaluar dhe deri më tani, ka afro 85,000 shikime.

Në shkurt të vitit 2019, në këtë platformë u publikua edhe misioni tjetër, “Operacioni Reçak”.

Në jetën reale, 45 civilë shqiptarë u vranë në operacionin e policisë serbe në janar të vitit 1999 në Reçak, ngjarje kjo që ishte një nga arsyet më të forta për bashkësinë ndërkombëtare për të filluar ndërhyrjen e NATO-s në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë më 24 mars 1999.

Në përshkrimin e operacionit në këtë video-lojë, maskara e Reçakut nuk përmendet fare.

“Sipas planit të operacionit, forcat e MUP-it (Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë) ishin të ndara në dy grupe. Grupi i parë kishte për detyrë të kapërcente llogoret mbi fshat dhe ta pushtonin atë, në mënyrë që të siguronin hyrjen dhe të bllokonin rrugën për tërheqjen e terroristëve. Ndërsa grupi i dytë do ta sulmonte vetë fshatin. I gjithë operacioni u mbështet nga njësia e brigadës 243 të mekanizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila mbante një pozicion në lindje të fshatit “, thuhet në përshkrimin e videos.

Në të njëjtin kanal në YouTube mund të gjendet edhe grupi me emërtimin “Operacioni Srbobran 1992” ku simulohet lufta e pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës Sërpska në territorin e sotëm të Donji Vakuf (nga viti 1992 deri më 1995 ishte emëruar Srbobran) në Bosnje-Hercegovinë (BeH) kundër Ushtrisë së BeH. Kjo video është publikuar më 8 tetor dhe ka afërsisht 1,000 shikime.

Në jetën reale, disa njerëz janë paditur për këtë krim lufte dhe çështja është nën juridiksionin e Departamentit Special për Krime të Luftës, në kuadër të Prokurorisë së Bosnje-Hercegovinës, organ ky që i akuzon të paditurit për vrasjen e 28 civilëve boshnjakë dhe kroatë.

Përveç misioneve që luhen në vendet e ish-Jugosllavisë, pjesëmarrësit e platformës po ashtu luajnë si pjesëtarë të ushtrive të tjera nga e gjithë bota – nga Afganistani deri në Filipine.

Njëra nga misionet ndërkombëtare e cila është publikuar, thirret “Vagner” që ka për lokacion Libinë. Në jetën reale, Vagner është një njësi paramilitare ruse dhe njëra nga misionet e saj të fundit, ishte në Libi.

Si duket loja?

Në lojën “Arma” lojtari vendoset në vetën e parë, që do të thotë se ai e ndjek lojën direkt përmes syve të personazhit që ai e drejton.

Është i pajisur me armë të caktuara dhe është pjesë e një ekipi të përbashkët.

Pjesëmarrësit komunikojnë më njëri-tjetrin përmes një mikrofoni. Ashtu si në jetën reale të policisë dhe ushtrisë, anëtarët renditen sipas gradave dhe njësitë kanë madje edhe komandantët e tyre.

Siç shpjegoi në komentin e tij njëri nga administratorët e ‘Arma Srbija’ në platformën YouTube, “loja funksionon nga dikush që bën një mision me një histori të vërtetë dhe ne e luajmë atë, por gjithmonë kundër inteligjencës artificiale”.

Çka është “Arma”?

“Arma” është një seri e video-lojërave taktiko-ushtarake, prodhuar nga “Bohemia Interactive” nga Çekia. Kompania u themelua më 1999 nga Marek dhe Ondrej Spanel dhe Slavomir Pavliçek, ndërkaq loja e parë “Operacioni Flashpoint: Kriza e Luftës së Ftoftë” u lansua më 2001. Kjo lojë ishte paraardhëse e zhanrit të “Arma”, që u publikua nga “Bohemia Interactive” pesë vjet më vonë.

Në pjesën e parë të “Arma: Armed Assult”, lojtari është pjesë e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilat ndodhen në një ishull të imagjinuar në Oqeanin Atlantik, ku po zhvillohet një luftë civile midis komunistëve dhe monarkistëve.

Seria e fundit e “Arma 3” u botua më 2013.

Ndërkohë, loja ka pësuar modifikime të shumta (në zhargonin e lojtarëve, mod është termi që mundëson ndryshimin e karakteristikave të aplikacionit).

Siç shpjegoi për Radion Evropa e Lirë, Korneel van’t Land, zyrtar për media i kompanisë Bohemia Interactive, “Arma” iu mundëson përdoruesve të bëjnë modifikime që të futen në lojën origjinale.

“Kjo do të thotë që përdoruesit mund të krijojnë skenarët e tyre duke përdorur përmbajtjen e lojës, por ata gjithashtu mund të shtojnë përmbajtje krejtësisht të re, duke filluar nga rrobat, armët, automjetet, strukturat, gjërat dekorative, rekuizitat dhe më shumë. Ata madje mund të modifikojnë edhe disa nga përbërësit themelorë të lojës, duke krijuar përvoja krejtësisht të ndryshme të lojës përmes platformës Arma”, thotë Land.

Sipas tij, këto modifikime mund të ndahen përmes platformës së Internetit Steam Workshop, e cila konsiderohet si mënyra më zyrtare e ndarjes së mod-eve, por edhe përmes faqeve të tjera.

“Publikimi i ‘Arma 3’ në 2013, vetëm në Steam Workshop, u nda në më shumë se 75,000 mod-a. Kjo përfshin projekte që synojnë rikrijimin e pothuajse të gjitha konflikteve të mëdha të armatosura në 80 vjetët e fundit”, spjegon Land.

Kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë nëse kompania është e njohur me mod-et e bëra brenda komunitetit “Arma Srbija”, ai u përgjigj:

“Ne nuk jemi veçanërisht të njoftuar se ekziston një mod, i bazuar në konfliktet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, por nuk do të habiteshim nëse ekziston”.

Siç nënvizoi zyrtari për media i kompanisë Bohemia Interactive, kompania ofron bazën mbi të cilën përdoruesit krijojnë modelin.

Pse krijuesit e lojërave ndryshojnë ngjarjet historike?

Kur u pyetën për të komentuar mbi misionet që simulojnë veprime reale të armatosura gjatë të cilave u kryen krime lufte, të tilla si Reçaku, në Bohemia Interactive thonë se “shumica e konflikteve të armatosura mbartin ndonjë kontraverzë”, duke shtuar se në vend që të glorifikojnë luftën, ata duan të tregojnë anën e saj të shëmtuar.

“Sa u përket mod-ave që kanë një mjedis historik të diskutueshëm, ne shohim se ato zakonisht krijohen nga përdoruesit që e ndiejnë dëshirën për të mësuar më shumë rreth ngjarjeve të caktuara historike. Ata që janë më shumë kuriozë duan ta provojnë se si ishte. Nëse është vërtet motivuese, atëherë ne mendojmë se video-lojërat mund të luajnë një rol shumë të fuqishëm në mënyrën se si mësojmë nga konfliktet e kaluara – duke plotësuar historitë e treguara në libra, filma dhe media të tjera”, thotë Land.
Megjithatë, ai shton se nëse një mod krijohet me idenë e përhapjes së urrejtjes ose nxitjen e dhunës, “atëherë ne e konsiderojmë atë shumë shqetësuese”.

“Në një rast të tillë, përmbajtja mbrohet përtej të drejtës së lirisë së shprehjes, sepse shkel të drejtat e të tjerëve. Nëse projekte të tilla të dyshimta ose të papërshtatshme bëhen përmes një platforme të moderuar siç është Steam Workshop, atëherë ne si përdorues, zakonisht do ta raportojmë atë, me kërkesë të qartë, për ta hequr atë”, thotë thotë Korneel vant Land.

Bohemia Interactive doli në qendër të vëmendjes së medias më 2015, pasi u zbulua se në atë platformë ishte një mod, që e bënte të mundur të luhej roli i një luftëtari të grupit ekstremist, Shteti Islamik, i cili vret perëndimorët.

Sipas raporteve të mediave, mod-i i tillë nuk ishte pjesë e lansimit zyrtar të programuesve çekë, dhe mbështetësit e Shtetit Islamik e përdorën atë për të rekrutuar fëmijë dhe për të radikalizuar të tjerët.

“Arma Srbija”

Sipas informatave në faqen zyrtare të Facebook-ut, “Arma Srbija Zajednica”, e cila ka më shumë se 5,000 ndjekës, mod-i nën emrin e Forcave të Armatosura Serbe është zhvilluar brenda Red Hammer Studios (RHS) për shumë vite. Sipas faqes zyrtare të RHS në Facebook, bëhet fjalë për një komunitet jo-fitimprurës që krijon përmbajtje për lojërat “Arma”.

Në prezantimin e tyre, “Arma Srbija” iu ofron përdoruesve të ardhshëm “lojëra të mëdha të përbashkëta, me bashkësitë e forta vëllazërore ruse, greke dhe të tjera”.

“Ajo që as serverët më të mirë, mod-at më të mirë, e as komunitetet më të mëdha botërore nuk mund të ofrojnë, është përvoja unike e luftës virtuale krah për krah me ushtarët serbë, organizimi i hekurt, përvoja shumëvjeçare dhe cilësia e lojës, me të cilën vetëm komuniteti ynë mund të krenohet”, thuhet në “Arma Srbija”.

Uebfaqja zyrtare e “Red Hammer Studios” ofron modë të re për lojën “Arma 3”, që e përmbajnë “Forcat e Armatosura Serbe të paraqitura realisht”.

Në të njëjtin vend, mund të merren ndaras edhe forcat e armatosura të Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pjesëmarrja në lojë

Siç mund të shihet në forumin “Arma Srbija”, në këtë platformë, janë regjistruar më shumë se 300 përdorues.

Sipas të dhënave të faqes në internet armasrbija.rs, për anëtarësim në këtë platformë, është e nevojshme që përdoruesi të jetë më i vjetër se 18 vjeç, që të posedojë kopjen origjinale të lojës “Arma 3” dhe të ketë kufje e mikrofon.

Nëse plotësohen kushtet, anëtarët e ardhshëm janë të detyruar të plotësojnë formularin me të dhëna personale (emri, mbiemri, viti i lindjes, vendi i banimit, adresa e postës elektronike), të shkarkojnë informacionin e duhur nga faqja specifike, të regjistrohen në forum dhe t’i nënshtrohen trajnimit në internet mbi bazat e lojës së kësaj platforme. Datat e trajnimit përditësohen rregullisht në forum.

Miratimi i administratorit kërkohet gjithashtu për t’u bashkuar me ekipin në të cilin do të luhet.

Për më shumë detaje mbi krijimin e mod-ave, idenë që qëndron pas saj, si dhe detajet e funksionimit të këtij komuniteti ‘vëllazëror’, REL thotë se ka kontaktuar përmes postës elektronike “Arma Srbija”, por nuk mori përgjigje deri në përfundimin e këtij teksti.

Kush luan dhe komenton në internet?

Dushan Vignjeviq, një 21-vjeçar nga Novi Sad, 15 vitet e fundit ka luajtur vazhdimisht video-lojëra.

Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, megjithëse ka luajtur versionin bazë të “Arma”, deri më tani nuk ka tentuar të luajë mod-in serb të kësaj loje.

Ai thotë se ky mod i duket tepër serioz.

“E pashë se për çfarë bëhej fjalë. Këtu, njerëzit thjesht dëshirojnë të shohin uniformën e tyre në lojë. E pashë nga regjistrimet se është një lojë shumë serioze, një simulim lufte, siç është ‘Arma’”, thotë ai.
Në komentet në platformën YouTube, mund të lexohen kryesisht reagime pozitive ndaj përshkrimit realist të luftës dhe misionit.

“Shumë mirë, vetëm vazhdoni kështu, kjo duket si ngjarje e vërtetë”, ka shkruar komentuesi Sasavasa 1002.

Nga ana tjetër, komentuesi Slacy Marconi, ka një këndvështrim tjetër:

“Kam kaluar 15 muaj në luftë në Kosovë. Nuk është si kjo lojë”.

“Ai që e ka bërë këtë mision, mirë e ka bërë”, shkroi një përdorues nën emrin Serbian Forces, duke komentuar aksionin e policisë serbe kundër Adem Jasharit.

Një komentues i nënshkruar si magg0t92 ofroi ndihmën e tij për të përmirësuar misionin: “Nëse keni nevojë për ndonjë informacion, çfarëdo qoftë në lidhje me atë që ka ndodhur saktësisht, unë e di, sepse njësia ime ishte pikërisht atje dhe ajo e kreu atë aksion”, shkruan ai.

Personi i nënshkruar si alexandarjanjic te misioni i Reçakut shkruan: “Ishte më mirë drejtëpërdrejt nga atje 98/99″.

Lojërat si pasqyrë e shoqërisë

Heshtja ndaj mohimit të krimeve të luftës nga vitet 1990 ka qenë e pranishme për vite me radhë në forma të ndryshme artistike në Serbi, kështu që nuk është për t’u habitur që ajo është e pranishme në video-lojëra, tha për Radion Evropa e Lirë Maja Zhilliq, asistente e programit në Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Ajo thekson se është shumë më problematike që autoritetet në Serbi kanë injoruar krimet e luftës për dekada, pavarësisht vendimeve të shumta gjyqësore që flasin qartë për rolin e Serbisë në krimet e luftës në hapësirat e ish- Jugosllavisë.

“Nëse autoritetet i mohojnë kaq shumë krimet e luftës, nëse ajo periudhë e viteve 1990 nuk mësohet fare në shkolla, atëherë si do të munden të rinjtë në lojë të jenë në gjendje të dallojnë atë që ndodhi në Reçak, ose në një vend tjetër”, thotë Zhilliq.

Ajo thekson se lojërat në thelb nuk janë të këqija, por theksi është në përgjegjësinë e elitave politike.

“Unë personalisht sapo luajta ‘Call of Duty’ (video lojë me luftë) dhe shumë lojëra të tjera, dhe kjo nuk më bëri një person më të keq. Por, shqetësues është fakti që ekziston një mohim i gjuhës së urrejtjes që nuk është sanksionuar në hapësirën publike. Atëherë, si mund të presim që të sanksionohet në një lojë që nuk është aq e njohur në publik”.

Qëndrimi i autoriteteve në Serbi për krimet e luftës është kritikuar vazhdimisht në raportet mbi përparimin e vendit në integrimin evropian.

Raporti i fundit, i botuar në tetor 2020, thotë se qeveria në Serbi vazhdon të sigurojë hapësirë publike për të dënuarit si kriminelë lufte dhe lejon gjuhë urrejtjeje.

Serbia po kritikohet për mohimin e gjenocidit dhe sfidimin publik të verdikteve të gjykatës.

Gjithashtu, siç thuhet në të njëjtin raport, marrëveshja me Kosovën është urgjente dhe thelbësore për integrimin evropian.

“Kosovo sunrise“

Në të njëjtën kohë, në Serbi, një tjetër video-lojë me temën e Kosovës tërhoqi vëmendjen e lojtarëve.

“Conflict 2012: Kosovo Sunrise” është një videolojë strategjike nga viti 2009. Siç tregoi vetë autori për gazetën “Politika”, koha e lojës u vendos në vitin 2012, kur në një moment pjesëtarë të “guerilave shqiptarë sulmuan forcat ndërkombëtare në Kosovë, dhe lojtari, si komandant i forcave serbe, vjen për të “zgjidhur konfliktin”.

Ai nënvizoi se loja nuk duhet të lidhet me luftën në Kosovë në vitet ’90-ta, duke shtuar se është “një lojë neutrale që siguron një fushë moderne beteje, ku fitorja qëndron në taktika dhe shkathtësi, e jo në cilën anë të llogores ndodhesh”.

Lufta virtuale për Kosovën edhe në platformat e tjera

Konfliktet në Kosovë nga historia moderne janë trajtuar edhe më herët në video – lojëra, por ato nuk janë aq të njohura.

“Operation flashpoint”, një lojë e kompanisë të përmendur më herët, “Bohemia Interactive”, u publikua në fillim të viteve 2000 dhe mori mod-in e saj “Kthimi në Kosovë dhe Metohi” në dekadën e parë të shekullit 21.

Sipas përshkrimit të faqes moddb.com, ku mund të shkarkohen modifikime për lojëra të ndryshme, ngjarja e lojës “Kthimi në Kosovë” zhvillohet në fund të viteve 90’ta, “kur NATO sulmoi Jugosllavinë dhe forcat e UÇK-së filluan të sulmonin civilët serbë dhe ushtrinë në Kosovë”.

Sipas të dhënave nga e njëjta faqe interneti, ky mod ka pasur afër 4,500 shkarkime deri më tani.

“Qitës klasik ushtarak, me emërtime në serbisht, anglisht dhe shqip”. Me këto fjalë, një 33-vjeçar nga Novi Sadi, i cili dëshironte të mbetej anonim, përshkruan për Radion Evropa e Lirë, lojën “Kthimi në Kosovë”.

Ai thotë se e ka luajtur atë lojë rreth 15 vjet më parë, dhe ishte tërhequr nga modelet e ushtrisë serbe.

“Nëse e mbaj mend mirë, kjo ka ndodhur në dimër. Amerikanët gjoja e kuptuan se kishin bërë një gabim në Kosovë, kështu që tani, të bashkuar me ne, u nisën të kthejnë fshatrat dhe qytetet. Unë mendoj se e vetmja gjë që ishte e panevojshme ishte që ata futën disa nga këngët tona patriotike, për shembull, si hyjmë në kamion, në radio dëgjohen këto këngë”, thotë ai.

Sidoqoftë, përshtypja e tij, është se ngjarja e lojës nuk kishte dimension politik, por ishte bërë “nga këndi ynë”.

“Si për shembull, kur kemi lojëra kur amerikanët janë personazhet kryesore dhe ata hyjnë në Irak ose ndonjë vend tjetër dhe kryejnë detyrat e tyre atje. Kjo është përshtypja ime. Si një film aksion. Përveç atyre këngëve që ndonjëherë dëgjoheshin në automjete, nuk kishte ndonjë karakter politik apo kombëtar ”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Midis lirive dhe nxitjes së urrejtjes

Gjorgje Krivokapiq, bashkëthemelues i Fondacionit SHARE, një organizatë jofitimprurëse që monitoron gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në internet, i tha Radios Evropa e Lirë se video-lojërat, si një lloj arti bashkëkohor, kanë lirinë për të interpretuar ngjarje të caktuara, por brenda kufijve që nuk shkojnë përtej kornizës ligjore.

“Nëse dikush bën një mod për një video-lojë që jep një interpretim të një krimi lufte, sipas mendimit tim, kjo duhet të vëzhgohet me kujdes, njëjtë sikur nëse dikush boton një libër në të cilin jep një interpretim të po këtij krimi lufte. Nëse një interpretim i tillë është në kundërshtim me rregulloret ligjore pozitive, nëse bën thirrje për përhapje të urrejtjes racore ose fetare, atëherë një libër ose lojë e tillë duhet të ndalohet në mënyrë që të parandalohen veprime të tilla,” tha Krivokapiq.

Lojërat virtuale dhe dhuna e vërtetë

Më shumë se 2.5 miliardë njerëz në të gjithë botën luajnë lloje të ndryshme të video-lojërave, tha për Radion Evropa e Lirë, Linda Schlegel, një studente doktorature në Universitetin Goethe në Frankfurt, e cila hulumton për radikalizimin përmes internetit.

Sipas saj, video-lojërat tërheqin njerëzit, “sepse lojtarët harrojnë realitetet dhe i tërheqin ato në histori”.

“Shumë lojëra të qitjes (FPS) kanë histori interesante dhe u japin lojtarëve zgjedhje, për shembull, ata mund të lëvizin lirshëm nëpër harta sipas gjykimit të tyre dhe të zgjedhin vetë detyrat e tyre”, shpjegon Schlegel.

Ajo thotë se ekziston një debat i vazhdueshëm në lidhje me ndikimin e video-lojërave të dhunshme në shoqëri, porse nuk mund të tërhiqet paralele midis përmbajtjes së lojërave të tilla dhe dhunës në botën reale.

“Lojërat mund të ndryshojnë perceptimin e dhunës përmes normalizimit, domethënë ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjes së dhunshme mund të na bëjë më pak të ndjeshëm ndaj dhunës. Sidoqoftë, efektet e video-lojërave varen nga individi ”, thotë Linda Schlegel.

Komunitetet e lojërave, thotë Linda Schlegel, mund të jenë platforma të dobishme për ata që duan të rekrutojnë anëtarë të rinj në disa grupe ekstremiste.

“Në këtë rast, nuk do të ishte një lojë në vetvete, por një mjedis shoqëror që siguron një faktor rreziku në afrimin e të rinjve me organizatat militante”, thotë Schlegel.

Ajo shton se komuniteti i internetit gjithashtu mund të inkurajojë ata që janë të prirur për veprime të dhunshme, por ata janë pakicë”, thotë Schlegel.

“Shumë mund të jenë falënderues, por vetëm një pakicë e inspiruar nga video- loja, veçanërisht nga mjedisi shoqëror i përvojës së lojërave, do të tregojë ndryshime në sjellje në botën reale”, thotë Schlegelli, duke theksuar se është e gabuar të mbivlerësohet roli i video lojërave.

Çetnikët në lojën shoqërore

Nuk janë vetëm ngjarjet nga luftërat që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë, që kanë frymëzuar disa nga krijuesit e lojërave, por edhe ato nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Në tregun serb mund të blini lojën e bordit “Gjenerali Drazha” të emërtuar sipas udhëheqësit të lëvizjes çetnike nga Lufta e Dytë Botërore – Dragolub Drazha Mihailoviq. Në formën e saj, është e ngjashme me lojën popullore “Risk (rrezik”, në të cilën lojtarët drejtojnë ushtri të ndryshme dhe luftojnë me qëllimin të pushtimit të territoreve.

“Lojtari udhëheq Ushtrinë Jugosllave (çetnikët) dhe mund të luajë vetëm kundër kundërshtarit. Loja është në nivel strategjik, me përmbajtje politike dhe figura historike e ngjarje “, thuhet në faqen zyrtare në Facebook, e cila reklamon këtë lojë.

Përveç rrjeteve sociale, ajo reklamohet edhe në dyqanet online që kryesisht merren me shitjen e veshjeve dhe pajisjeve ushtarake.

“Përdoruesit tanë kryesorë janë Policia, Ministria e Brendshme, ushtria serbe, Ministria e Mbrojtjes, agjencitë e sigurisë, gjuetarët dhe individëve”, thuhet në përshkrimin e kësaj faqe.

Në atë faqe interneti, loja “Gjeneral Drazha” u prezantua me vërejtjen se “nuk bazohet në historinë e shkruar në periudhën nga 1945 deri në 1990”.

Autori i lojës është Andreja Vrazhaliq, i cili në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka luajtur lojëra popullore në tridhjetë vitet e fundit, dhe se filloi të ishte i interesuar për Mihailoviq, rreth një dekadë më parë.

Sipas Vrazhaliq, loja që ai shpiku është “historike, dhe nëse luan si Mihailoviq, je në një situatë shumë të vështirë”.

“Më duhet të pranoj se nuk do të ishte një sfidë për mua të krijoja dikë tjetër, qoftë edhe Titon (Josip Broz, udhëheqës i partizanëve) që do të ishte në krye të listës, por nuk është ndonjë argëtim që suksesi i lojtarit të varet nga ndihma e Perëndimit dhe Stalinit (Josif Stalin, udhëheqësi i BRSS). Loja të lejon të luash i vetëm si Mihailoviq, por gjithashtu mund të luani dy lojtarë: Tito kundër Drazhës “, thotë Vrazhaliq.

Ai vlerëson se të gjitha lojërat tjera popullore janë të bazuara në histori edukative, “sepse ato u mundësojnë lojtarëve të jenë në botën reale dhe të kenë hulumtime të mëtejshme”.

“Unë mendoj se Lufta e Dytë Botërore është minimizuar, kryesisht për shkak të propagandës, e cila ndonjëherë shkon në falsifikim. Ishte një sfidë këtu për ta kthyer diçka të komplikuar në një lojë që duhet të jetë argëtuese, dhe shpresoj të kem sukses në këtë “, thotë Vrazhaliq, duke shtuar se ka pranuar reagime të ndryshme për lojën që ai e projektoi.

Kur u pyet nëse në lojë janë paraqitur krimet e luftës, Vrazhaliq tha se gjenocidi kundër serbëve që u mohua nga Shteti i Pavarur kuisling i Kroacisë (NDH) “ishte thelbi i Luftës së Dytë Botërore, dhe për këtë arsye duhet të jetë pjesë thelbësore e lojës”.

Dragoljub Drazha Mihailoviq, komandanti i Ushtrisë Mbretërore, u dënua me vdekje më 15 korrik 1946 për krime lufte.

Në maj 2015, Gjykata e Lartë në Beograd e anuloi atë vendim, me arsyetimin se gjykimi i Mihailoviçit ishte një proces politik-ideologjik i regjimit komunist. Sidoqoftë, gjykata vuri në dukje se nuk merrej me vërtetimin e fakteve nëse Mihailoviç ishte një kriminel lufte, por ekskluzivisht vetëm me procedurat gjyqësore.

Dy miliardë lojtarë në nivelin global në vitin 2020

Që video lojërat janë gjithnjë e më shumë në fokus, flet edhe historia e një video loje falas të krijuar nga rrjeti nacionalist ekstremit të djathtë gjerman Ein Prozent (Një Përqind).

Në të, lojtarët përpiqen të çlirojnë vendin e tyre duke vrarë antifashistë dhe duke u përplasur me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me filantropin, miliarderin amerikano-hungarez George Soros, të cilët paraqiten si armiq.

Siç është raportuar nga portali VICE më 21 shtator, lojtarët e lojës të quajtur “Heimat [Homeland] Defender: Rebellion” mund të vendosin të luajnë si një nga shumë njerëzit me ndikim nga skena e ekstremit të djathtë të zonës gjermanfolëse.

Siç shpjegohet në të njëjtin raport, Ein Prozent është një rrjet nacionalist që është nën mbikëqyrjen e agjencisë së inteligjencës gjermane, si një grup i dyshuar ekstremist.

Organizata ndërkombëtare joqeveritare Projekti për Luftën kundër Ekstremizmit (CEP), e cila merret me luftën kundër kërcënimit në rritje të ideologjive ekstremiste, paralajmëroi në deklaratën e 16 shtatorit për video-lojërat që promovojnë besimin në dhunën e të djathtës ekstreme.

“Video-lojërat e krijuara nga grupe ekstremiste dhe individë që kërkojnë të përhapin ideologji të dhunshme janë sfida unike për ata që punojnë për të parandaluar luftën kundër radikalizmit. Kompanitë e teknologjisë dhe shpërndarësit duhet të kenë parasysh edhe fajin që bartin ne këtë rast”, tha CEP në një deklaratë.

Kjo organizatë vlerëson se grupet ekstremiste janë të vetëdijshme për potencialin e video-lojërave, për përhapjen e besimeve e tyre dhe se tregu i video-lojërave, vetëm në Shtetet e Bashkuara ka mbi 214 milionë lojtarë, e që do të thotë edhe miliarda dollarë përfitime për kompanitë. /REL/

Share.