Teco Technologies, kompani për shërbime digjitale ka lansuar sot produktin më të ri “Teco App”, aplikacion ky që ofron mundësi të komunikimit dhe bashkëpunimit mes pjesëtarëve të kompanisë.

Me këtë rast u tha se “Teco App” është platforma më e sigurt, përmes së cilës ofrohen të gjitha shërbimet pa pasur nevojë për hapjen e platformave të tjera.

E veçanta e “Teco App” është se është lansuar nga “Teco Technologies”, kompani kjo që është shembull i bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri.

E ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, thotë se kjo do të nxisë edhe më shumë bashkëpunimin midis grupeve të interesit në Kosovë dhe Shqipëri.

Me rastin e lansimit të aplikacionit “Teco App”, Minxhozi shprehi besimin e tij se kompania do të ecën shumë mirë duke sjellë projekte të mëdha në të ardhmen.

Minxhozi: Në të ardhmen të kemi projekte të mëdha

“Kemi të bëjmë me një grup inovatorësh nga Shqipëria, nga Kosova, dhe besoj që do t’ia dilni në krye me shumë sukses. Teco janë gjëja më e rëndësishme e një teknologjie për të ecur përpara dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse motivon të rinjtë për t’u marrë me shkencën më të lartë të shkëmbimit të eksperiencave dhe analizave. Unë do të dëshiroja me këtë rast, që të nxisë edhe më tepër bashkëpunimin midis grupeve të interesit si në Shqipëri, në Kosovë dhe në gjithë rajonit. Dhe unë besoj se të gjitha mundësitë janë dhe se në këtë zyrë kaq të vogël në të ardhmen të kemi projekte të mëdha”, tha Minxhozi.

Shefi ekzekutiv i “Teco Technologies”, Krenar Batusha tha se si kompani synojnë që të punësojnë shumë të rinj si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, si dhe që të rrisin bashkëpunimin e ndërsjellë, teksa tregoi edhe për qëllimet kryesore të kësaj kompanie.

Batusha: Synojmë të punësojmë shumë të rinj në Kosovë dhe Shqipëri

“Sot u lansua Techo App-i, është një ditë shumë e veçantë për neve. Qëllimi i Techo App-it është për të punësuar sa më shumë të rinj e të reja në Kosovë dhe Shqipëri dhe të shërbejmë për vendet jashtë. Ne si kompani ofrojmë një produkt i cili lehtëson komunikimin brenda kompanisë si dhe menaxhimin, ku mund të shihni me një panel produktivitetin e kompanisë tuaj”, tha ai.

Bashkëfinancuesi i “Teco Technologies”, Aldo Dervishi, tha se kjo është faza e dytë e kësaj kompanie, teksa shtoi se është i lumtur për bashkëpunimin që kanë pasur si staf.

Dervishi: Vizioni jonë, tregu ndërkombëtar

“Për ne sot është faza e dytë e Techo-s, faza më e rëndësishme në hedhjen në tregun ndërkombëtar, që normalisht që objektivi dhe vizioni është që të jemi në tregun ndërkombëtar”, u shpreh ai.

I pranishëm në ceremoninë e lansimit të produktit “Teco App” ishte edhe drejtori i ICK-së, Uranik Begu, i cili u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin me Teco Technologies. Ai tha se ky është vetëm fillimi i një tregimi të suksesshëm të kësaj kompanie.

Ndryshe “Teco App” ka 5 platforma përmes së cilave lehtëson operimin dhe menaxhimin e ndërmarrjeve. /TV Malisheva

Share.