Sot në selinë e FFK-së është mbajtur një takim me përfaqësuesit e klubeve të Ligës së Femrave si dhe është bërë tërheqja e shortit për kampionatin e ri.
Në këtë takim ishin të pranishëm kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave dhe njëherësh anëtarja e KE-së, Vjollcë Krasniqi, anëtari i KE-së, Ilaz Mjaku dhe shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka.
Me këtë rast, Krasniqi ka kërkuar nga përfaqësuesit e klubeve që të organizohen sa më mirë për kampionatin e ri, në mënyrë që të jenë në gjendje që të garojnë pa probleme dhe të shfaqin edhe cilësi.
Ajo ka bërë të ditur se në këtë edicion Liga e Femrave do t’i ketë 12 skuadra, derisa me kërkesë të klubeve u vendos që edicioni i ri të nisë më 24 gusht, e jo siç ishte paraparë më herët më 17 gusht. Pas diskutimeve me përfaqësuesit e klubeve për mënyrën e organizimit sa më të mirë, në fund u bë edhe tërheqja e shortit për kalendarin e ri të garave.
Në bazë të shortit në javën e parë do të takohen:
Jakova – Drenica
Intelektualet – Vizioni
Feronikeli – Bazeli 2015
Malisheva – Kosova (P)
Llapi – A&N
Liria – Mitrovica.