Ka filluar realizimi i projektit për ndërtimin serrave, ku Komuna e Malishevës, ka subvencionuar 23 bujq tjerë, të cilët merren me perime të cilat kultivohen në serra. 23 bujq janë përfitues të serrave në hapësirë nga një ari, ndërtimin e të cilave Komuna e Malishevës e financon me 70 përqind, ndërsa pjesën tjetër vet bujqit.
Në fillimin e ndërtimit të serrave, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori për bujqësi, Murat Hoxha dhe ai i urbanizmit, Ahmet Morina, e kanë vizituar bujkun Milaim Morina, i cili është njëri nga 23 përfituesit, për të parë nga afër ndërtimin e serrës së tij.
“Bujqësia si njëra prej degëve më të fuqishme të ekonomisë, është njëri nga prioritetet kryesore të qeverisë Begaj dhe gjatë tërë mandatit, në forma të ndryshme, i kemi përkrahur bujqit, fermerët dhe blegtorët, me subvencione, përfshi edhe me ndërtimin e serrave, që kjo do të ndihmoj shumë bujqit tanë dhe në të njëjtën kohë edhe e rrit numrin e të punësuarve. Bujkut Morina, i uroj sukses në kultivimin e kulturave që rriten në serrë dhe i garantojmë të gjithë bujqit, se bujqësia do të vazhdoj të mbetet njëri nga prioritetet kryesore dhe do të përkrahet edhe në të ardhmen”, ka thënë nënkryetari Berisha, me rastin e fillimit të ndërtimit të serrës për bujkun Milaim Morina.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Murat Hoxha, tha se “qëllimi i përkrahjes për bujqit, në këtë rast duke i subvencionuar në ndërtimin e serrave, është përkrahja direkte për bujqit, rritja e numrit të të punësuarve dhe mbulimi i tregut me prodhime vendore”. Drejtori Hoxha, ka sqaruar se në këtë subvencion janë përfshi 23 bujq për ndërtimin e serrave dhe i tërë projekti është 17 mijë e 247.70 euro.