Pas paralajmërimit për organizmin e protestave nga naftëtarët, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi së bashku me Inspektoratin e Tregut inspektuan të enjten deponitë e derivateve të naftës.

Inspektimi u bë në deponinë e kompanisë “Shell Kosova”, nga ku edhe u morën mostrat për vlerësim të cilësisë së naftës.

Ministri në detyrë, Krasniqi u shpreh se ky inspektim po bëhet për të për të siguruar produkte cilësore të derivateve për qytetarët e Kosovës.

Krasniqi: Këto inspektime janë të fokusuara për të siguruara cilësi për qytetarët

“Kjo që po ndodhë sot tani dhe në deponitë tjera që do të marrim mostra është në vazhdën e shumë atyre përgjegjësive tona. Ne jemi të fokusuar që të iu ofrojmë qytetarëve të Kosovë, konsumatorëve produkte cilësore në të gjitha fushat. Në këtë rast flasim për derivatet, ka pasur zëra në të kaluarën shpesh-herë që në Kosovë futet çfarë do lloj derivati dhe ne këtu nga afër çka pamë vërtet me një program të sofistikuar. Me pajisje dhe teknologji shumë të mira. Po ashtu ne morëm mostra dhe do të shohim se sa përkojnë me atë që deklaruan inxhinierët dhe personat përgjegjës. Dua të them se për t’i ardhur në ndihmë konsumatorit për cilësi më të madhe, ne kemi nxjerrë edhe Udhëzime Administrative, për pastrimin e rezervarëve që nuk ka pasur që 20 vjet pas luftës pastrime”, tha ai.

Ai ka treguar se sot në mëngjes ka takuar edhe Shoqatën e Naftëtarëve lidhur me gjendjen e tregut të derivateve dhe janë dakorduar me ta për zbatimin e udhëzimeve administrative, me disa ndryshime të vogla që pritet të ndodhin në të ardhmen.

Krasniqi: Jemi dakorduar me naftëtarët për zbatimin e Udhëzimit

“Pikërisht për këtë në mëngjesin e sotëm, kam pritë shoqatën e naftëtarëve. Kemi diskutuar për disa çështje. Nuk është duke u kundërshtuar komplet udhëzimi legjislativ. Janë disa pika tek tarifat apo për afatet e licencave. Afatet e kontrolleve të rezervarëve, pra janë disa specifika, por jo edhe komplet udhëzimi administrativ. Ne kemi parë edhe në media, ku është fol se nuk ka cilësi, ka përzierje , mirëpo ne nuk mund të veprojmë pa udhëzime administrative. Nuk mund të sigurojmë cilësi për qytetarët pa akte ligjore dhe nënligjore. Kështu që ne jemi të thirrur t’i zbatojmë ato […] Me shoqatën e naftëtarëve ne u dakorduam që t’i kemi praktikat më të mira të vendeve tjera dhe të vazhdojmë së funksionuari ato udhëzime, me disa ndërhyrje që besoj Komisionet në të ardhmen do t’i bëjnë disa ndryshime të vogla”, theksoi ai.

Gjatë ditës edhe Shoqata e Naftëtarëve ka pasur një takim me anëtarë të cilët vazhdimisht kërkojnë ndryshime të këtyre udhëzimeve për pastrimin e rezervarëve dhe për uljen e disa tarifave.

Share.