Ka përfunduar ndërtimi i trotuarit në fshatin Burim (ish Stapanicë) të Komunës së Malishevës. Ky trotuar është mundësuar nga Ambasada e Norvegjisë, përmes misionit të OSBE-së në Kosovë, dhe në bashkëpunim me Komunën e Malishevës, si dhe Këshillin Lokal për Siguri në Bashkësi.
Për këtë qëllim, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori komunal për inspektorat, Dibran Kastrati, e kanë vizituar këtë fshat, ku janë pritur nga kryetari i fshatit Asllan Buzhala.
Në emër të Komunës së Malishevës dhe qeverisë komunale, nënkryetari Berisha, e ka falënderuar Ambasadën e Norvegjisë dhe OSBE-në për këtë investim, shumë domethënës për banorët e këtij vendbanimi, pasi me ndërtimin trotuarit, krijohet siguri më e madhe përgjatë rrugës, sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollën e fshatit.
Edhe kryetari i fshatit Asllan Buzhala e ka falënderuar OSBE-në, Ambasadën norvegjeze, Komunën e Malishevës, si dhe Këshillin Lokal për Siguri në Bashkësi, për ndërtimin trotuarit.