Instituti GAP sot publikoi raportin “Projektbuxheti 2021: favorizimet dhe diskriminimet e komunave në investime kapitale”, ku thuhet se tri ministritë me më shumë buxhet të ndarë për investime kapitale në komuna në vitin 2021 do të jenë Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërsa investimet e Ministrisë së Shëndetësisë në komuna pritet të bien për 92% në krahasim me 2020.

Sipas GAP, komunat që do të përfitojnë më shumë nga buxheti i ministrive për investimet kapitale gjatë vitit 2021 janë Komuna e Gjakovës, Prishtinës, Deçanit dhe Mitrovicës.

“Investimet kapitale të ministrive në komuna sipas Projektbuxhetit 2021 janë paraparë të jenë mbi 93 milionë euro dhe të shpërndahen në 33 komuna. Tri ministritë me më shumë buxhet të ndarë për investime kapitale në komuna në vitin 2021 do të jenë Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërsa investimet e Ministrisë së Shëndetësisë në komuna pritet të bien për 92% në krahasim me 2020. Komunat që do të përfitojnë më shumë nga buxheti i ministrive për investimet kapitale gjatë vitit 2021 janë Komuna e Gjakovës, Prishtinës, Deçanit dhe Mitrovicës. Sikurse viteve të kaluara, shumica dërrmuese e projekteve kapitale qendrore janë vazhdim apo obligim nga vitet e kaluara, duke lënë pak hapësirë për projekte të reja. Nga rreth 9 milionë euro projekte të reja, më shumë se gjysma e tyre (55%) do të ndahen nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Komunat të cilat do të përfitojnë më shumë nga investimet e reja kapitale në vitin 2021 janë Komuna e Gjakovës, Mitrovicës, Klinës dhe Deçanit. Komunat e qeverisura nga AAK do të përfitojnë 60 % të investimeve të reja, komunat e qeverisura nga LDK me 19%, komunat e qeverisuara nga VV me 12% dhe të tjera”, thuhet në njoftim.

Sa i përket përqindjes së investimeve krahas popullsisë, GAP thotë se komunat e qeverisura nga LDK janë diskriminuar kurse komunat të cilat menaxhohen nga AAK janë favorizuar.

Ndërsa, në komunat e qeverisura nga subjektet tjera politike nuk vërehet diskriminim i madh pozitiv apo negativ.

Share.