Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar promovimet e partive tjera, me rastin e anëtarësimit të një deputeti, duke cekur “Lexojeni mësimin për propagandën në rastin e marrjes së një asamblisti nga partitë tjera! Merreni me mend çfarë do të bënin për 9 asamblistë!”.
“I bëj me dije aktorët e ish-aktorët e PDK-së e të subjekteve të tjera që për zgjedhjet lokale të bëhen gati për garë. Disave ua kam treguar vendin në tri palë zgjedhje, disave që u ka mbetur merak gara, do t’ua tregoj vendin prapë së bashku me qytetarin e Drenasit si sovran i votës”, ka shkruar z. Lladrovci.
Ja postimi i Lladrovcit në Facebook:
Mësim për propagandën në prag të fushatës. Për këtë mandat, gjatë tri viteve të fundit, Grupit të asamblistëve të PDK-së, ia kam shtuar 9 asamblistë të partive të tjera. Këto prurje i kam promovuar, normalisht, me respekt e pa propagandë çfarë e meritonin të ardhurit në grupin e asamblistëve të PDK-së.
Përpos 9 asamblistëve të partive të tjera, kam krijuar besim edhe te qytetarët duke sjell qindra aderime të anëtarëve të rinj në PDK. Për fat të keq, kjo nuk i ka pëlqyer as disave në degën e PDK-së që nuk marrin vota as nga anëtarët e familjes në Drenas, as disa deputetëve të Parlamentit të Kosovës, e as njerëzve që morën vota në Drenas.
Për kuriozitet, për tre a katër vjet, nuk e kam hasur një rast të vetëm në Drenas që e ka sjellë kryesia e re apo kryesia e vjetër e PDK-së nga ndonjë parti tjetër në PDK. Para pak ditësh, kur kam bërë mesazhin inspirues për unitet rreth zgjedhjeve që na presin në Drenicë, në vend të përgëzimeve, tërthorazi filloi beteja e re kundër meje me humbës të përhershëm nga anëtari i kryesisë dhe personi që për tri vjet ndërroi disa subjekte politike, duke sharë PDK-në, kryetarin dhe ish kryetarin e saj. I bëj me dije akterët e ish akterët e PDK-së e të subjekteve tjera që për zgjedhjet lokale të bëhen gati për garë.
Disave ua kam treguar vendin në tri palë zgjedhje, disave që u ka mbetur merak gara, do t’ua tregoj vendin prapë së bashku me qytetarin e Drenasit si sovran i votës. Fitorja ime, do të jetë fitore e qytetarëve sikur deri tashti, këtë e kam dëshmuar dhe do ta dëshmoj sërish.
Ky është edhe mesazh për pretendentët politikë: Lexojeni mësimin për propagandën në rastin e marrjes së një asamblisti nga partitë e tjera! Merreni me mend çfarë do të bënin për 9 asamblistë!