Ka një javë e më shumë që institucionet e Kosovës kanë vendosur masë reciproke ndaj Serbisë.

Bëhet fjalë për pasaportat e shtetasve serb, të cilët më nuk mund të udhëtojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Burime te sigurta të Gazetës Blic kanë rrëfyer se asnjë qytetar serb nuk ka mundur të udhëtojë përmes Aeroportit Adem Jashari me pasaportë të Serbisë.

“Ka një vendim që pasaportat e Serbisë mos të njihen. Serbët mund të udhëtojnë përmes Aeroportit vetëm me letërnjoftime por kjo nuk mjafton. Ata përveç letërnjoftimit duhet të posedojnë edhe një leje qëndrimi në ndonjë vend të Bashkimit Evropian”, ka thënë ky burim.

I njëjti burim nuk ka mundur të precizoj se kush ka marrë një vendim të tillë nga institucionet e Kosovës, por që sipas tij ai po respektohet në plotni.

“Vendimi është në fuqi dhe serbët që nuk posedojnë ndonjë leje qëndrim nuk mund të udhëtojnë përmes Aeroportit Ndërkombëtar”, ka thënë burimi.

Gazeta Blic ka kontaktuar me zyrtarë për media të qeverisë në dorëheqje por që ata kanë thënë se për këtë duhet drejtuar Minsitrisë së Punëve të Jashtme.

Këshilltari Politik në MPJ Jetlir Zyberaj ka thënë se nuk është në dijeni për një vendim të tillë.

“Ne si MPJ nuk kemi marrë një vendim të tillë por nëse është kështu thjesht një gjë e tillë parashihet edhe në marrëveshjen e Brukselit për lëvizje të lirë” ka thënë Zyberaj.

As në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk kane qenë në dijeni për një vendim ku serbët  e Kosovës por edhe ata te Serbisë nuk mund të udhëtojnë me pasaporta përmes Aeroportit.

“Thjeshtë për këtë pyesni në MPJ” kanë thënë nga zyra per media e MPB-së

Ndryshe Serbia nuk njeh pasaportat e as shtetin e Kosovës, e për të kaluar çdo pikë kufitare që lidh Kosovën me Serbinë qytetarët e Kosovës këtë duhet ta bëjnë vetëm me letërnjoftime.

Share.