Gjendja nga reshjet e shumta të shiut dhe borës, është e rënduar por e menaxhueshme, edhe pse lumi Mirusha në disa vende ka dalë nga shtrati. Si pasojë e reshjeve, disa rrugë janë bllokuar, përfshi edhe qytetin, ndërsa qytetarët janë duke shfrytëzuar rrugët alternative. Po ashtu disa ura janë mbuluar nga uji dhe më problematike për qarkullim është rruga Malishevë-Kijevë.
Të gjitha ekipet emergjente komunale, së bashku me forcat e rendit, janë në terren dhe situata është duke u menaxhuar, por lutem të gjithë qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë, pasi në disa rrugë ka probleme në qarkullim.
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me drejtoritë përkatëse dhe ekipet përgjegjëse të emergjencave dhe të rendit, prej mëngjesit janë në terren në menaxhim situatës.
Ura në rrugën Malishevë-Kijevë është bllokuar, gjithashtu rruga Mirushë-Gurbardh, tek liqeni, është bllokuar, rruga në Turjakë, një urë në një lagje në Damanek, pastaj vështirësi ka edhe në rrugën e transitit në Malishevë, në qendër të qytetit, rruga Malishevë-Banjë ka probleme në qarkullim, prandaj luten të gjithë ngasësit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative në këto pjesë të Komunës së Malishevës.
Probleme ka edhe në rrjetin energjetik.