Më 12 janar të vitit 1964, në Nju Meksiko, lindi Jeffrey Preston Jorgensen, i njohur sot si Jeff Bezos; sipërmarrës dhe investitor me rol kyç në e-tregti.

Ai themeloi Amazon.com, fillimisht për shitje librash; më vonë për shumëllojshmëri mallrash, duke u bërë dyqani më i madh në World Wide Web (www), dhe model i shitjeve në internet.

Jeff Bezos bëri bujë më 2013, kur bleu gazetën Washington Post për 250 milionë dollarë. Por historia e tij bëhet edhe më interesante. Jeff lindi në Albuquerque, Nju Meksiko nga prindër adoleshent, Jacklyn Gise dhe Ted Jorgensen, kur të dy ishin ende 17, 18 vjeçar.

Ata u martuan dhe pas dy vjetësh u ndanë. Kaluan edhe dy vjet të tjera dhe Jacklyn u martua me një emigrant politik kuban, Mike Bezos, dhe Jeff mori mbiemrin e njerkut, Bezos. Lidhjet me të atin biologjik u ndërprenë.

Në vitin 2010, gazetari Brad Stone, i revistës Businessweek ne San Francisko vendosi të shkruajë një libër mbi jetën dhe karrierën e Jeff Bezos. Brad filloi kërkimet për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me Ted Jorgensenin, prindi biologjik i Jeffit, ku ndodhej ai? Përfundisht, gazetari e gjeti Tedin në Glendale, një qytezë e largët në shtetin Arizona, ku ai kishte një dyqan biçiketash.

Gazetari shkoi nga Kalifornia për ta intervistuar dhe pyetja e parë që i bëri ishte – A keni fëmijë? – Tedi i tha – Jo, kam pasur një djalë, por ka vdekur kur ishte i vogël. Gjatë viteve të ndarjes, Ted Jorgensen ishte interesuar për të birin, por emri Jeff Jorgensen nuk figuronte në asnjë vend.

Dhe imagjinoni se çfarë ndjeu kur mësoi se Jeff Bezos, një nga miliarderët më të mëdhenj të Amerikës, ishte djali i tij. Libri “The Everything Store: Jeff Bezos and the Age of Amazon” i autorit Brad Stone doli nga shtypi në tetor 2013. Disa të dhëna në libër janë kontestuar a kundërshtuar nga Jeff Bezos, megjithatë libri është në shitje në dyqanin internetik amazon.com, drejtor ekzekutiv i të cilit është Jeff Bezos.

Share.