Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se BQK-ja ka demonstruar lidership përtej mandatit të saj, ku në rolin e Rregullatorit dhe Mbikëqyrësit të Institucioneve Financiare ka avancuar kërkesat për qeverisje më të mirë korporative.

Në prezantimin e “Raportit të Tranzicionit për vitin 2019” që njëkohësisht shënon edhe 12-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, guvernatori Mehmeti vuri në pah angazhimin e BQK-së në vazhdimin e ndërtimit të një mjedisi financiar edhe më të qëndrueshëm dhe më stabil.

“Kohëve të fundit keni qenë dëshmitarë të disa vendimeve të marra nga BQK-ja në raport me institucionet financiare që kanë rrezikuar stabilitetin e sektorit financiar në Kosovë dhe nuk kanë qenë në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. Kjo flet për vendosmërinë e Bankës Qendrore për të ushtruar mandatin e saj kushtetues dhe të qeveriset nga rregullat dhe standardet më të mira të qeverisjes korporative. Ne do të vazhdojmë të mbesim të pa luhatur në veprimet tona që ekonomisë së Kosovës t’i ofrojmë institucione financiare dhe burime të financimit që u përshtatet nevojave zhvillimore dhe stabilitetit të ekonomisë”, tha Mehmeti.

Ai tha se në këtë rrugëtim prej dy dekadash, Banka Qendrore dhe institucionet tjera vendore në Kosovë kanë gëzuar privilegjin për t’u përkrahur dhe këshilluar nga shumë institucione ndërkombëtare financiare, përfshirë FMN, USAID, Thesarin Amerikan, Bankën Botërore, KFW, GIZ, BERZH etj.

Share.