Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje e cila më herët përmes një konference për shtyp kritikoi reformat që kanë ndodhur në shëndetësi në dy vitet e fundit.

Lëvizja Vetëvendosje kritikoi një ndër sukseset më të mëdha në shëndetësinë kosovare pas luftës, që është heqja e listës së pritjes për stentim në QKUK.

Kjo e arritur përveç që ka shpëtuar mijëra jetë, u ka shpëtuar edhe 12 milionë euro qytetarëve gjatë vitit 2018.

Sipas ministrit Ismaili, Vetëvendosje duke dashur të mbjellin dyshime të pabazuara mbi njërin prej sukseseve më të mëdha në shëndetësinë kosovare, po synon që të favorizojë bizneset private që zhvatin pacientët.

Lexoni reagimin e plotë të ministrit Ismaili:
Para pak kohësh Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në zyrën e tij prezantoi aderimin e kardiologut të akuzuar në rastin kriminal “Stenta”. Për më tepër Albin Kurti e promovoi atë si prurje cilësore dhe si shembull të pastërtisë profesionale e politike. Tani po e kuptojmë se raporti mes tyre më shumë sesa bashkëpunim politik, qenka partneritet biznesor dhe konferenca e sotme është manifestim i këtyre interesave. Sulmet e sotme kundër heqjes së listës të pritjes për stentim që ka shpëtuar mijëra jetë dhe 12 milionë euro të qytetarëve janë dëshmia më e mirë se Lëvizja Vetëvendosje gjithnjë radhitet në anën e kundërt të reformave. Heqja e listës të pritjes për stentim është mirëpritur nga familjet kosovare dhe ka qenë lajm i keq për biznesmenët e stentave. Arritja jonë i pengon Lëvizjes Vetëvendosjes sepse kemi defunksionalizuar industrinë e krimit që ka terrorizuar ekonomikisht qytetarët. Lëvizja Vetëvendosje, përmes mjekëve të cilët kanë organizuar greva me motive të ngushta partiake dhe që kanë lënë fëmijët tanë pa shërbime në QKUK, tentoi të na moralizojë për reformat në shëndetësi. Duke dashur të mbjellin dyshime të pabazuara mbi njërin prej sukseseve më të mëdha në shëndetësinë kosovare, Lëvizja Vetëvendosje po synon që të favorizojë bizneset private që zhvatin pacientët. Është për keqardhje dhe ironike se si një parti politike që flet gjithë kohën për të mirën publike dhe për shërbime falas në shëndetësi sot rreshtohet krahas interesave financiare të zhvatësve dhe kundër qytetarëve. Qytetarët e kanë parë punën e PDK-së në shëndetësi në këto dy vite dhe janë vlerësimet e tyre që do t’i marrim parasysh e assesi konferencat e Vetëvendosjes të sponsorizuara nga grupet e interesit.

Share.