Prej një jave institucionet e Kosovës nuk po njohin pasaportat e Serbisë. Mediat e Beogradit thonë e qytetarët serbë kanë pasur probleme të udhëtojnë nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Sipas gazetës ‘Blic’ “qytetarët mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime, por gjithashtu duhet të kenë edhe një leje qëndrimi të ndonjë vendi të Bashkimit Europian.”
Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga autoritetet e Prishtinës për këtë masë reciprociteti dhe as zyrtarët në Ministrinë e Brendshme apo të Jashtme të Serbisë nuk kanë mundur të japin më shumë hollësi.
Sipas televizionit publik RTS, vendimi ka hyrë në fuqi nga e hëna dhe prej tij preken më shumë qytetarët nga Serbia Qendrore që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi, nëpërmjet Kosovës.
Policia e Kosovës thotë se masa e marrë është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar që në vitin 2013, por sipas RTS-së ajo marrëveshje nuk ndalon përdorimin e asnjë dokumenti.
Më herët policia kufitare e Serbisë tha se njeh vetëm letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet e Kosovës, pasi marrëveshja e Brukselit nuk përfshin dhe pasaportat.
Televizioni publik shton se disa familje me fëmijë nuk kanë mundur dot të kalojnë kufirin dhe janë kthyer për shkak se me vete kanë pasur vetëm pasaportat.
Sipas zyrtarëve në Prishtinë, qytetarët e Kosovës lejohet të udhëtojnë transit nëpërmjet Serbisë kur udhëtojnë drejt Kroacisë, Hungarisë, Bullgarisë apo Maqedonisë së Veriut apo dhe nëpërmjet aeroporteve të Nishit dhe Beogradit.