Ekipet e angazhuara për intervenim në rrugët e Komunës së Malishevës, ku ka pasur rrëshqitje të dheut dhe rërës, i kanë pastruar të gjitha rrugët dhe më nuk ka problem në qarkullim. Pas kësaj do të intervenohet në ura, ku ka pasur gërryerje të tokës, si pasojë e vërshimeve.
Kështu kanë njoftuar sot, Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Malishevës, pasi është intervenuar në të gjitha rrugët të cilat janë mbuluar nga dheu apo rëra e bartur nga uji, edhe pse këto rrugë në asnjë ditë nuk kanë qenë të pakalueshme.
Është intervenuar në mbylljen e gropave në qytet, që janë hapur gjatë vërshimeve, pastaj në Turjakë, në Lubizhdë, në 3 lagje të fshatit Vërmicë, në dy rrugë në Pagarushë, në Marali dhe në Carrallukë.
Drejtoria ka bërë të ditur se tani do të merren me sanimin e urave, aty ku ka pasur gërryerje afër urave, me qëllim të sigurimit të urave dhe eliminimin e rrezikut të mundshëm.
Po ashtu, është duke vazhduar puna e komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.