Në 15-vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, tek varri i tij ka bërë homazhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj nga aty tha se do t’i jenë gjithmonë mirënjohës veprës së ish-presidentit Rugova në rrugën e lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Haradinaj: Do jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin e Rugovës
“Në përvjetorin e vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova nderojmë vendin ku pushon trupi i tij. E vërteta është se Kosova i është mirënjohëse dhe të gjithë ne i jemi mirënjohës për kontributin historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do jetë i përjetshëm kujtimi dhe respekti për të”, deklaroi Haradinaj.
Përveç liderit të AAK-së, homazhe tek varri i presidentit të parë të Kosovës në këtë 15 vjetor të vdekjes së tij bënë edhe ushtruesja e presidentes, Vjosa Osmani e shoqëruar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006, ai u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.