Në pesëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës dhe në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2021” në Gjilan është mbajtur akademi përkujtimore për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ku për jetën dhe veprën e të cilit kanë folur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, publicisti e kritiku Sabit Rrustem dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Haziri, ka thënë se këtë Rugova ishte njeriu që realizoi ëndrra dhe la trashëgimi lirinë e Kosovës, pavarësinë, demokracinë dhe butësinë e urtësinë politike dhe shumë vlera të tjera.

“Ibrahim Rugova edhe mohuesit, kundërshtarët i ka gjunjëzuar para varrit dhe veprës së tij. Ai pati rol fisnik e politik. Ai pos familjes së tij politike, ia deshi edhe të tjerët. Ne të gjallët ia kemi për borxh vlerës që la për këtë vend e këtë popull. Do t’i qëndrojmë prapa këtij vizioni. Rugova thoshte se kompromis i dhembshëm, por i drejtë është pavarësia e Kosovës e atë e ndërtoi me vizion e veprim të urtë”, tha Haziri, që shtoi se ideologjia e Rugovës u godit e po goditet, por një është e vërtetë se ai do të mbetet njeri i mendimit, njeriun e librave, njeriun e pavarësisë.

Për jetën dhe veprën e Ibrahim Rugovës, kujtime evokoi publicisti e letrari Sabit Rrustemi, i cili pasi ka folur biografinë e presidentit historik të Kosovës, ka shtuar se Ballkani nuk kishte një njeri të tillë si Ibrahim Rugova, i cili ishte i vetmi presidenti historik, të cilin të tillë e zgjodhi disa herë populli e Kuvendi i Kosovës.

“Ai u pranua e u njoh si president edhe në Kosovën e robëruar e atë të lirë. Ai ishte letrar, studiues e kritik letrar, prijës i një elite të re intelektuale. Ai ishte kryetar i LDK-së, lëvizja më e madhe në Ballkan, ai pandalshëm e pareshtur me urti e dije u bë zë i artikuluar i shqiptarëve të Kosovës, ishte prijës i lëvizjes paqësore, në vizionin për liri, pavarësi e demokraci. Ai u shndërruar prijës i Kosovës dhe i shqiptarëve, fati i tij ishte fati i popullit. I urtë, u angazhua ta nxirrte Kosovën nga kthetrat serbe. Ai të gjithë i bëri të gjithë për vete”, tha Rrustemi, që shtoi se Rugova trasoi rrugën për të ardhur deri te liria e pavarësia e Kosovës. Ai ishte tolerues, unifikues e njeri i paqes.

Kryeministri në detyrë, Abdullah Hoti, në këtë Akademi Përkujtimore, ka theksuar se Rugova ishte ideator dhe themelues i Kosovës. Sipas Hotit, Rugova ruajti kohezionin e brendshëm, shumë të nevojshëm dhe krijoi miq për Kosovën.

“Sot Kosova identifikohet me emrin e Ibrahim Rugovës, ai ishte prijës e krijues i një fryme nacionale në Kosovë, ai bëri epokën, u shndërrua në simbol të pavarësisë së Kosovës. Bota na njohu falë tij”, tha Hoti, që cilësoi Rugovën si model lidershipi e shembull të një udhëheqësi besnik të popullit të vet dhe që bota e donte dhe nderonte si burrështetas.

Kryetari i Gjilanit, në shenjë mirënjohje për veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Ibrahim Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës i ndau familjes mirënjohje, të cilën e pranoi vajza e tij, Teuta Rugova.

Akademia ka vazhduar me programin artistik të Shoqatës Kulturore-Artistike Clasicos nga Gjilani./TV Malisheva

Share.