Kandidati i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, Salih Morina, ka thënë se Vjosa Osmani ka gabuar që është larguar nga LDK-ja dhe se ky largim i saj nuk i ka shkaktuar humbje kësaj partie në Malishevë, përkundër asaj që tre asamblistë të LDK-së i janë bashkuar nismës së Vjosa Osmanit, shkruan TV Malisheva.

Ai në emisionin “N’Pult” ka thënë se ajo është larguar nga shtëpia e saj dhe nga aty ajo ka marrë tërë autoritetin që e gëzon sot.

“Konsideroj se Vjosa Osmani ka gabuar që ka ikur prej Lidhjes Demokratike të Kosovës, prej shtëpisë së saj, ku prej aty ka marrë edhe autoritetit, ka qenë një person që ka pasur autoritet jashtëzakonisht të madh në këtë kuptim. Mendoj që ka qenë gabim i saj, por sido që të jetë është bindje e saj dhe e ka zgjedhur që t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosjes. Në komunën tonë kanë qenë tre asamblistë që i janë bashkuar iniciativës së zonjës Osmani, por këtë nuk e shohim si humbje apo goditje e madhe për LDK-në në Malishevë.”, ka thënë Morina.

Morina është një nga dy kandidatët e Malishevës nga radhët e LDK-së për deputet të Kosovës, ndërsa paraprakisht ka qenë këshilltar i zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj. /TV Malisheva

Share.