Kampionati i Kosovës në Karate ka nisur dhe ende po vazhdon në Prishtinë. Aty po marrin pjesë një numër i madh i skuadrave, ndërkohë mysafirët janë shprehur të mahnitur nga puna e madhe që është duke bërë Federata e Karatesë së Kosovës për këtë sport olimpik.
Ky kampionat që ishte paraparë të mbahet në fillim të vitit 2020, po mbahet sot për shkak të Kampionatit Evropian që do të mbahet me 6 shkurt 2020 në Budapest të Hungarisë.
Risi e këtij kampionat janë 22 gjyqtarë nga shtetet e ndryshme të botës ndër ata edhe të parët e gjyqtarëve të botës, kryetari i gjyqtarëve të Federatës Botërore e Karatesë, Eduardo Javier Escalante dhe sekretarin e Komisionit të Gjyqtarëve Botërorë, Robert Hamara, që po ndajnë drejtësinë.
Po ashtu, të pranishëm kësaj radhe kanë qenë dhe pesë kryetarë të Federatave Ndërkombëtare të Karatesë, si dhe për të nderuar Kampionatin e Kosovës e kanë konfirmuar edhe 25 kryetarë të federatave të të gjitha sporteve të Kosovës.
Në fjalën hapëse të tij, kryetari i Federatës së Karates së Kosovës, Ismet Krasniqi falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë kampionat duke uruar që në fund të triumfojë më i miri.
Krasniqi: Ky është një kampionat i veçantë
“Ky kampionat siç po e shihni edhe vet është më i veçantë se kampionatet tjera, e kush mund ta bënte përpos mysafirëve të cilët i kemi këtu dhe na kanë nderuar me prezencën e tyre… Ky është një kampionat me këta miq që na kanë nderuar dhe për mua është një dit shumë shumë e veçantë, sepse ne shqiptarët jemi të lidhur shumë me mysafirët dhe dimë se si t’i presim dhe shpresoj që në të ardhmen të kem shumë mysafirë të tillë”, tha Krasniqi.
Ndërkohë që kryetari i gjyqtarëve botërorë të karates, Eduardo Javier Escalante u shpreh se është i mahnitur nga puna e madhe që është duke bërë Federata e Karatesë së Kosovës për këtë sport olimpik.
Escalante: Keni bërë punë fantastike
“Jam i pasionuar me atë që po shoh këtu dhe në emër të Federatës botërore të Karatesë dua t’iu përgëzoj sepse Federata e Karatesë së Kosovës ka bërë një punë fantastike tanimë në këtë sport, sportin tonë olimpik. Në emrin tim dhe në emrin e të gjithë reverëve dua t’iu uroj suksese të gjithëve ju që po merreni pjesë”, tha Escalante.
Kampionati i Kosovës do të zhvillohet dy ditë më 21 dhjetor (e shtunë kadetë, juniorë, U21 dhe seniorë) dhe 22 dhjetor (e diele) për grupmoshat e reja 7- U14 vjeç që do të mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00. Kjo garë do të zhvillohet në disiplinën e katave dhe kumite.