Filharmonia e Kosovës gjatë vitit 2019 është përballur me probleme në infrastrukturë dhe me vështirësi financiare, diçka që ka ndikuar në mos-realizimin e planeve të këtij institucioni për të mbajtur më shumë koncerte.

Drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari ka thënë se pret nga Qeveria e re e Kosovës të mbështesë institucionet kulturore dhe mos të humbin më fondet sikurse ka ndodhur me ato të Bashkimit Evropian të dedikuara për sallën koncertale.

Në konferencën përmbyllëse të vitit 2019, Jashari ka thënë se aspekti financiar nuk ka qenë në nivelin e kërkesave të këtij institucioni, por as në atë të premtimeve që janë bërë nga Ministria e Kulturës.

Jashari: Viti 2019 me probleme financiare dhe infrastrukturore për Filharmoninë e Kosovës

 

“Do të fokusohesha në problematikën që e ka përcjellur këtë vit Filharmoninë e Kosovës, e ajo është natyrisht përveç infrastrukturës që sapo e përmenda, është edhe aspekti financiar i cili për fat nuk ka qenë në nivelin e kërkesave tona, e bile as në nivelin e premtimeve që janë bërë nga Ministria e Kulturës, andaj ne kemi pasur plane gjatë këtij viti të realizojmë edhe më shumë koncerte të cilat në pamundësi edhe të mungesës buxhetore nuk kemi mundur t’i realizojmë”, tha ai.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të mbështesë institucionet punojnë dhe përmes buxheti dhe rregullimit të infrastrukturës, t’u mundësojë punë më të lehtë.

Jashari: Shpresojmë që mos të humbin fondet si 15 milionë euro të Bashkimit

 

“Shpresojmë që vitin e ardhshëm gjithmonë me shpresë dhe me një qeveri në ardhje të re do të fillojë edhe një frymë e re në aspektin e mbështetjes së institucioneve kulturore, posaçërisht atyre të cilat janë aktive që punojnë, veprojnë dhe t’u mundësohet një punë më e lehtë përmes buxhetit dhe infrastrukturës, shpresojmë që fondet mos të humbin më siç ishte rasti me fondin mbi 15 milionë euro të Bashkimit Evropian dedikuar sallës koncertale dhe ja jemi në fund të vitit 2019 dje flasim për dështimin e këtij projekti”, tha ai.

Jashari njoftoi edhe për koncertin tradicional të Filharmonisë së Kosovës, që do të mbahet nesër në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, koncert ky që do të përmbyll aktivitetet e këtij viti.

Siç tha ai, nesër do të jenë dy shfaqje koncertale, njëra në orën 17:00 e tjetra në orën 20:00, por që as këto dy orare nuk u mundësojnë të gjithë të interesuarve për muzikë klasike t’i shohin ato, për shkak të sallës së vogël ku ato mbahen.

Edhe sivjet, koncerti tradicional i vitit të ri do të jetë me vepra të popullarizuara të literaturës operistike.

Jashari bëri të ditur se nesër do të prezantohen një varg solistësh vendor dhe nga Shqipëria.

Filharmonia e Kosovës gjatë vitit 2019 ka realizuar gjithsej 20 projekte koncertale që janë realizuar nga orkestra simfonike, kori i Filharmonisë në koncerte vetanake, dhe disa projekte vokalo-instrumentale të përbashkëta me solistë vokal nga rajoni dhe bota./TVMalisheva/

Share.