Planin e rimëkëmbjes ekonomike, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj, e ka prezantuar para bizneseve të Komunës së Suharekës.
Hoxhaj tha se plani i rimëkëmbjes do të adresojë të gjitha problemet me të cilat po përballen bizneset në vend si pasojë e pandemisë COVID-19. Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës biznesin e sheh si partner dhe në planin e rimëkëmbjes parasheh fondin prej 1 miliard euro, ku 500 milionë euro janë të dedikuara për biznesin.
Hoxhaj, theksoi se gjatë mandatit si kryeministër do të ndodhë edhe rritja e pagës minimale në 300 euro.
Hoxhaj: Do ta ulim tatimin në të ardhurat për korporata
“Sot kam vizituar tri kompani të ndryshme në Therandë, të cilat prodhojnë produkte të ndryshme për treg të brendshëm dhe për treg evropian. Pandemia i ka goditur këto kompani në Therandë po edhe në nivel të vendit, ne duam që të krijojmë një fond i cili përmes granteve në vlerë prej 500 milionë euro do t’i mbështetë shumë biznese në Kosovë me qëllim që ta tejkalojnë pandeminë dhe të ofrojmë lehtësira të mirëfillta fiskale për gjithë sektorin privat, meqë sektori privat e shohim si partner të rritjes ekonomike, të krijimit të vendeve të reja të punës. Do ta ulim tatimin në të ardhurat për korporata nga 8 në 7, 5 dhe 0, varësisht nga përmasa e korporatës. Në krahasim me partitë tjera politike të cilat nuk kanë ide, nuk ofrojnë program dhe ofrojnë një qasje e cila i ngjanë më shumë komunizmit, Partia Demokratike e Kosovës ka një plan konkret se si do ta rimëkëmb vendin në planin ekonomik…Po ashtu, pjesë e këtij plani është edhe rritja e pagës minimale nga 170 euro në 300 euro”, tha ai.
Në Suharekë, Hoxhaj ka vizituar mobilierinë “Graniti”, fabrikën për përpunimin e pijeve freskuese “Burimi-AG” dhe fabrikën e materialit ndërtimor “Intertras-Coop”.