Vrimat e lashta të zeza janë bërë objekte super-masive ashtu siç duken sot, duke ‘u ushqyer’ nga rezervuarët e gazit dhe pluhurit 12.5 miliardë vjet më parë, thonë astronomët.

Një ekip studiuesish ndërkombëtarë që përdorin teleskopin e madh në Kili, kapi imazhet e ‘ushqimit të vrimës së zezë’  përreth zemrës së galaktikave të hershme, transmeton KosovaPress.

Ekipi thotë se këto furnizime lejuan që vrimat kozmike të rriten me shpejtësi në një kohë kur universi ishte shumë i ri.

Ata besojnë se gjetjet e tyre shtojnë ‘një pjesë thelbësore për enigmën’ se si formohen strukturat më të hershme kozmike, siç janë grupimet galaktike dhe zbrazëtitë. “Prania e këtyre’ përbindëshave ‘në universin e hershëm është një mister’, tha  Emanuele Paolo Farina nga Instituti Max Planck.

Vrimat e zeza super-masive janë disa miliarda herë më të mëdha se masa e Diellit tonë dhe deri më tani mendohej se nuk kishte materiale të mjaftueshme rreth tyre për të nxitur rritjen.

Share.