Nëse ka një sezon kur fermerët shqiptarë ulin ritmin e shfrenuar të punëve të vitit, ky është pikërisht sezoni i dimrit.

Ata kanë mbjellë perimet në serra në Janar e tashmë janë në pritje të të vjelave të para pas mesit të Marsit. Kjo periudhë të vjelash përfundon rreth 15 Qershorit, periudhë kur nisin mbjelljet në fusha.

Por ka disa produkte që i gjejmë sot në treg e që janë të stinës; karrota, sallata jeshile, lakra, lulekra, brokoli, lakra e vogël e Brukselit, spinaqi apo ndonjë rrepë apo rrepka të vogla që quhen rilka.

Stina e dimrit mund të jetë e ashpër, por me ushqimin e duhur përballohet gjithçka.

Karrotat

Karrota njihet për vetitë e saj të dobishme kundër plakjes, kancerit, infeksioneve, sëmundjeve të zemrës e shumë të tjera.

Shto karrotat në ushqimin tënd dimëror dhe konsumo supa, sallata dhe gatime të ndryshme e shumë të shijshme.

Zona më e njohur për kultivimin e Karrotës është Lushnja. Prodhimet e këtyre qyteteve janë shumë të shijshme dhe të shëndetshme për trupin sesa ato të importuara.

Kungulli i dimrit

E gjejmë në forma dhe shije të ndryshme. Kungulli i serrave është fantastik në dimër. Është plot me vitaminë A, potas, fibra dhe magnez.

Me të mund të gatuajmë pjata mjaft të shijshme si supë apo byrek.

Panxhari i Kuq

Është i ëmbël, i shijshëm dhe ajo ngjyra e kuqe kthehet në domosdoshmëri për çdo tryezë. Një pjatë me panxhar të rikthen energjinë dhe ul tensionin.

Panxharët e kuq janë të dobishëm dhe të shëndetshëm, madje njihen si afrodiziakë dhe i japin trurit mjaft energji.

Patatet e ëmbla

Patatet e ëmbla kanë elementë më të pakët glicemie se patatet e verdha por janë super të shijshme. Kjo do të thotë që këto patate nuk prodhojnë shumë insulin.

Patatet e ëmbla kanë karbohidrate të shëndetshme, janë të pasura me vitamin dhe minerale dhe i japin mjaft energji trupit të njeriut.

Qepa e njomë dhe prasi

Dobitë dhe vlerat ushqimore të qepës nuk janë nevojë për shumë prezantim. Vitaminat dhe përbërësit anti inflamatorë të qepës na mbrojnë nga sëmundjet e zemrës.

Lakra

Lakra është një perime mjaft e shëndetshme për njeriun. Ajo është plot me vitamina, minerale, fibra, antioksidantë që sipas studimeve reduktojnë rreziqet nga kanceri.

Lulelakra

Prodhohet prej muajit dhjetor deri në muajin maj. Gjatë kësaj periudhe mund të konsumoni lulelakër të freskët pasi vlerat ushqyese të saj janë shumta.

Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës. Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit.

Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memorjes, të muskujve si dhe ndihmon me problemet e gjumit.

Lakra e Brukselit

Është një perime e vogël, por punën e bën të madhe. Ka nisur të kultivohet së fundmi bashkë me finokun e rukolën në Divjakë edhe pse jo në sasi shumë të mëdha.

Lakra e Brukselit mbron sistemin imunitar dhe renditet si një më të shëndetshme për njeriun.

Brokoli

Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut.

Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve.

Brokoli përban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak. Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.

Spinaqi

Spinaqi njihet për vlerat e tij ushqyese dhe është parë gjithnjë si një bimë me aftësi të jashtëzakonshme për të të kthyer energjinë, që rrit vitalitetin dhe përmirëson cilësinë e gjakut.

Por, ka disa arsye pse spinaqi arrin të prodhojë rezultate të tilla. E para është se është i pasur me hekur, i cili luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut, që ndihmojnë në transportin e oksigjenit në trup, në prodhimin e energjisë dhe në sintezën e ADN-së. /TV Malisheva

Share.