Hapja e tregut të lirë për energji elektrike, liria në përzgjedhjen e furnizuesit për energji dhe ndryshimi i aspektit komercial por jo atij teknik ishin çështjet kryesore të cilat u diskutuan në takimin e mbajtur në mes OAK-së dhe Zyrës së Rregullatorit për energji elektrike.
Në kuadër të këtij takimi përfaqësuesit e ZRRE, informuan në lidhje me obligimet ligjore që ZRRE-ja ka në hapjen e tregut të energjisë në Kosovë përkatësisht krijimit të mundësive të daljes së konsumatorëve në treg të hapur sipas parimeve të vendosura në Ligjin për Energjinë Elektrike.
Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi veçoi që është e nevojshme për bizneset të informohen sa më detajisht lidhur me këtë çështje duke pasur parasysh se një proces i tillë është i ri dhe kësisoj mund të jetë i pakuptushëm për bizneset.
Izet Rushiti Kryesues i Bordit të ZRRE – së, falënderoi OAK-në për takimin dhe theksoi që në treg të hapur sipas ligjit në fuqi obligohen të dalin bizneset të cilat kanë qarkullim vjetor më shumë se dhjetë (10) milion euro dhe që kanë më shumë se pesëdhjetë (50) punonjës, duke fillaur nga data 01 Prill 2021.
Sipas Rushitit, nga data 1 Prill 2021 e tutje konsumatorët komercial (bizneset) të cilat i plotësojnë dy kriteret e lartë përmendura obligohen të kalojnë në tregun e lirë dhe të zgjedhin një nga tetë furnitorët e licencuar deri më tani për furnizim me energji elektrike, me çmime të parregulluara nga kjo zyrë, por sipas marrëveshjes me furnitorët.
Ndërsa Diamant Elshani, Sekretar i Bordit të OAK-së paraqiti shqetësimet e biznesve lidhur me sigurinë që konsumatori ka në këtë rast, pas këtyre ndryshimeve të cilat priten të bëhen me tregun e lirë për energji elektrike dhe stabilitetin në furnizim.
Me këtë rast Gani Buqaj, Drejtor për Mbrojtjen e Konsuamtori potencoi se ajo çfarë është e rëndësishme të dihet nga bizneset është se gjithçka çfarë do të ndërroj është aspekti komercial përderisa ai teknik do të mbetet i njëjti. Buqaj theksoi në mes të tjerash se me këto ndryshime të cilat do të bëhet bizneset do të kenë mundësinë që të zgjedhin furnizuesin e tyre dhe të lidhin marrëveshjen dy palëshe varsisht nga interesat e tyre.
Aktualisht, numri i furnizueseve të licencuar është tetë në mesin e të cilëve përfshihen KES-CO, ” HEP Energjia KS SH.P.K”, “GSA ENERGJI” SH.P.K, “Future Energy Tranding and Exchange Dynamics” SH.P.K, ” JAHA COMPANY”, “Korporata Energjetike e Kosovës”, “SharrCem” SH.P.K si dhe ” Enerco LLC” SH.P.K.
Në këtë takim OAK u përfaqësua nga Skënder Krasniqi-Kryetar i Bordit, Diamant Elshani- Sekretar i Bordit, Qëndresa Ibrahimi-Kordinatore, Mirjeta Shala-Zyrtare për Komunikim me biznese, Diellza Zeqiri- Zyrtare Ligjore dhe Fjolla Smaili-Zyrtare për Komunikim me Publikun.