Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit për Kufi në Policinë e Kosovës, Shaban Guda, kanë vizituar sot pikën e kalimit kufitar në Merdare, transmeton Klan Kosova.

Me këtë rast, Mustafa dhe Guda u njoftuan për së afërmi me sfidat me të cilat përballen zyrtarët policorë dhe zyrtarët e doganës në këtë pikë kalimi kufitar.

Sipas MPB, Mustafa tha se bashkatdhetarët duhet të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera të kalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë

“Kolonat në këtë pikë-kalim kufitar vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara, probleme tek pala kosovare nuk ka, për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta. Gjithashtu pala serbe ende nuk është transferuar në objektin e ri të Pikës së Përbashkët Kufitare në Merdare që është ndërtuar nga UNOPS-i.”- tha Mustafa.

Gjiashtu ai potencoi se Policia dhe Dogana e Kosovës, janë të mobilizuara në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive që kanë në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë dhe vendet tjera.

Share.