Ushqimet e fërguara shpesh konsiderohen një mëkat, ndonëse të vështira për t’ju rezistuar.
Por pavarësisht kësaj, të gjithë bien dakord që ushqimi është më i shëndetshëm kur gatuhet në avull, zihet ose piqet.
Studimet shkencore kanë konfirmuar se fërgimi i ushqimit rrit nivelin e yndyrave dhe kalorive që i konsumoni, veçanërisht në rastet kur ushqimet lyhen me thërrime buke përpara skuqjes, fërgohen në temperatura të ulëta, ose fërgoni shumë ushqime në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën tenxhere.
Kjo e fundit, ul temperaturën e vajit dhe një gjë e tillë rrit sasinë e kohës që duhet për skuqjen e ushqimit. Rrjedhimisht sasia e yndyrës e përthithur në ushqim gjatë gatimit, rritet ndjeshëm.
Yndyrat dhe kaloritë tek ushqimet e fërguara rrisin rrezikun e shfaqjes së shumë problemeve shëndetësore.
Obeziteti
Ushqimet e pasura me yndyra, kanë shumë kalori. Një gram yndyrë ofron 9 kalori, ndjeshëm më shumë se kaloritë e ofruara nga e njëjta sasi proteine apo karbohidrati. Nëse hani ushqime të fërguara rregullisht, atëherë gjasat që të bëheni mbipeshë janë shumë të larta. Një studim i vitit 2013 i publikuar në revistën “Nutrition, Metabolism and Cardiovascular Diseases”, zbuloi se konsumi i ushqimeve të fërguara më shumë se katër herë në javë, rrit rrezikun e shfaqjes së obezitetit ndjeshëm më shumë në krahasim me ata që konsumojnë ushqime të tilla më pak se dy herë në javë.
Sulmi në tru
Sulmi në tru është një nga sëmundjet më të përhapura në vendet ku konsumohen shumë ushqime të fërguara. Nëse konsumoni ushqime të tilla të paktën gjashtë herë në javë, gjasat e sulmit në tru rriten në 41% në krahasim me njerëzit që i konsumojnë ato më pak se një herë në muaj. Nëse e fërgoni ushqimin tuaj në yndyra të ngopura siç janë gjalpi, dhjami ose vaji i arrës së kokosit, do të jeni më të predispozuar të keni kolesterol të lartë dhe të vuani nga sëmundjet e zemrës.
Diabeti
Një studim i publikuar në “Diabetes Care” në prill të vitit 2011 kishte zbuluar se konsumi i rregullt i ushqimeve të fërguara është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me diabetin e tipit 2. Një studim tjetër i publikuar në revistën “Nutrition & Food Science”, bënë të ditur se gratë që hanë ushqime të fërguara çdo ditë, kanë më shumë gjasa të vuajnë nga diabeti se ato që hanë më pak ushqime të tilla.
Kanceri
Kufizimi i sasive të ushqimeve të fërguara ndihmon në uljen e gjasave të shfaqjes së kancerit të prostatës. Njerëzit që një herë në javë hanë ushqime, si petulla, peshk, pulë apo patate të fërguara, janë më të rrezikuar ndaj kancerit të prostatës në krahasim me ata që hanë ushqime të tilla më pak se një herë në javë. /TV Malisheva