Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve Sportivë të Kosovës ka organizuar edicionin e tretë të konferencës “Sporti dhe Media”, ku edhe këtë vit kishte debate të ashpra rreth pasqyrimit të aktiviteteve sportive në mediat televizive dhe ato online.
Konferenca është zhvilluar në formë panelesh, në njërën anë drejtuesit e sportit dhe në anën tjetër gazetarët sportivë.
Nga drejtuesit e sportit, krahas përfaqësuesve të lartë të federatave sportive, në panel kanë qenë edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, si dhe përfaqësues të lartë të federatave sportive në Kosovë.
Në panelin e mediave, krahas drejtuesve të SHGSK-së dhe mediave vendore, të pranishëm ishin edhe Dëfrim Methasani, gazetar shumëvjeçar i Radio Televizionit Shqiptar, si dhe Faton Zylbehari, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe KF Shkëndija.
Kryetari i Shoqatës së gazetarëve sportiv, Edmond Thaqi u shpreh se kjo shoqatë në vazhdimësi është duke punuar t’u ofrojë kushte më të mira të punës për gazetarët sportiv.
“Për shoqatën është e mirëseardhur edhe kjo konferencë. Sigurisht që ne si shoqatë prioritet e kemi shtimin e kapacitetin e numrit të gazetarëve sportiv. Si bord i ri së bashku me instancat sportive jemi të gatshëm për të dhënë kontributin tonë. Shpresoj që nga kjo konferencë të dalin përfundime që kanë të bëjnë me të mirën e komunitetit”, tha Thaqi.
Drejtori i Departamentit të sportit, Ibër Alaj, evidentoi pikat të cilat sipas tij mund të shërbejnë në të mirë të relacionit organizata sportive dhe gazetarë sportivë.
“Për mua çështja e parë është ngritja e një programi në Universitetin e Prishtinës, edukimi për media. Pikë tjetër është lajme të rreme, të cilat citohen nganjëherë nga burime të brendshme. Në shoqërinë moderne, sporti dhe media kërkojnë marrëdhënie të mirë që ta rrisë prodhimin dhe vlerën”, tha Alaj.
Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj u shpreh se marrëveshja e nënshkruar me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress i ka shërbyer këtij institucioni qe të jetë edhe më afër mediave.
“Komiteti Olimpik i Kosovës e ka krijuar një bashkëpunim shumë të mirë me mediat në Kosovë. Ne kemi shumë aktivitete mirëpo këtë çështje të mirë me media na ka ofruar edhe nënshkrimi i marrëveshjes me KosovaPress-in. Është shumë e rëndësishme për ne të jemi partnerë për media. Ne me media kemi qenë partnerë shumë të mirë derisa ka hy në fuqi ligji për sponsor. Prej këtij momenti mediat e kanë ndalur ritmin e tyre”, tha Haxhijaj.
Faton Zylbehari, zëdhënës për media në Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut u shpreh, se mediat në Maqedonia janë shumë më keq sesa mediat në Shqipëri dhe në Kosovë.
Zylbehari: Mediat në Maqedoni janë shumë më inferior se në Kosovë
“Jam i privilegjuar që me ftesë të Komitetit Olimpik jam këtu, sepse thjesht po vlerësohej se nga ajo që dëgjova deri më tani kjo është shumë e rëndësishme, në drejtim të ndërrimit të përvojave. Sado që të them duhet të pranoj se mediet në Maqedoni në raport me atë që po ndodh në Shqipëri dhe Kosovë, jemi inferior në atë që bëjmë, pse ndodh kjo nuk e dimë”, tha Zylbehari.
Artan Muhaxheri, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së gazetarëve sportivë në Kosovë, u shpreh se këto konferenca shërbejnë për të mirë si te Federatat ashtu edhe tek gazetarët sportiv, të cilët duhet të japin më shumë hapësira për sportin vendor.
Muhaxheri: Sporti vendor duhet të ketë më shumë hapësirë
“Prej diskutimeve të tilla nuk ka asgjë personale dhe asgjë të keqe. Do të mundohemi secili ti shohim defektet e dy palëve edhe mënyrat e bashkëpunimit. Në fakt para kësaj konference Shoqata e Gazetarëve me 7 shtator kur e kemi filluar edhe mandatin e ri, pjesë e të cilit mandat tash jam edhe unë, kemi filluar një seri të takimeve me Federatat të cilat ne konsiderojmë që kanë pasur edhe sukses edhe njohje ndërkombëtare edhe traditë në organizime dhe me të cilat kemi dashur që në tavolinë ti shtjellojmë çështjet të cilat i preokupojnë federatat”, tha Muhaxheri.
Ndërsa në përmbyllje të kësaj konference presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, u shpreh se kjo shpreson që nga kjo konferencë të dalin mesazhe që do ti mundësojnë organizatave sportive që të jenë sa më të pranishme në mediat si ato televizive dhe ato elektronike.
Hasani: Shpresoj që kjo konferencë të na ndihmojë për të ardhmen
“Unë besoj që ne si organizata sportive, si lëvizje Olimpike të Kosovës, duhet të marrim mesazhe të qarta. E patë se edhe gazetarët i kanë vështirësitë e veta prandaj në qoftë se ne duam që të jemi sa më tepër vizuel, kjo gjithsesi ndikon edhe në rritjen e shikueshmërisë edhe në rritjen e interesimit në komitetin e biznesit që të bashkohet me ne. E që se si rrjedhojë do të kemi shumë më tepër të ardhura, të hyra të cilat do ti përdorim për zhvillimin e sportit dhe sportistëve në veçanti. Prandaj unë po besoj që ne duhet të bëjmë strategji të veçantë që ne të jemi sa më shumë të pranishëm në mjetet e informimit”, tha Hasani.
Kujtojmë që temat që u diskutuan në këtë konferencë ishin sfidat e sportit me mediat dhe anasjelltas, hapësira mediale e aktiviteteve të federatave në media, hapësira mediale e sportit të Kosovës në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore dhe anasjelltas, lajmet e rreme dhe ato të kopjuara, gjetja e formave më të mira të bashkëpunimit në mes komunitetit të sportit dhe medias, etj./TV Malisheva/