“Vitin e kaluar, unë nënshkrova kontratë tre-vjeçare me dëshirën e madhe për ta kaluar një eksperiencë të re. Por, pas dy muajsh gjithçka ndryshoi – presidenti dhe drejtori bën vendime të ndryshme. Tani, ne i ndajmë rrugët me njëri-tjetrin”.
Me këto fjalë kapiteni i Kosovës Samir Ujkani nis intervistën me “TuttoMercatoWeb” pas largimit nga Rizespori, skuadër me të cilën shkëputi kontratën.
Ish-portieri i Palermos tani tregon se ka dëshirë të madhe për t’u rikthyer në fushën e gjelbër dhe ta fillojë një aventurë të re.
Për aventurën me klubin turk, Ujkani thotë se ka mësuar shumë, derisa tani është rikthyer në Belgjikë te familja e tij.
“Unë doja që ta kem një eksperiencë të mrekullueshme këtu, mësova shumë. Çdo aventurë ka anët e saj pozitive. Unë jam rikthyer në Belgjikë te familja ime të cilën nuk e kam parë që një muaj. Ne së shpejti do ta gjejmë zgjidhjen më të mirë për të ardhmen”, u shpreh fillimisht Samir Ujkani.
Pjesën më të madhe të karrierës, Ujkani e ka kaluar në Itali, ku ka luajtur në Palermo si dhe në Pisa, derisa ai është i hapur për të gjitha opsionet.
“Praktikisht, në Itali kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës. Do të ishte gjë e mirë të rikthehesha aty, por jam i hapur për të gjitha opsionet. E përcjell gjithnjë Pisa, është në zemrën time. Ishte një eksperiencë e veçantë aty dhe ne ishim sikur një familje. Jam i kënaqur që janë rikthyer në Serie B”, vlerësoi më tej portieri kosovar.
Në vazhdim, reprezentuesi i Kosovës ka folur edhe për situatën e mesfushorit të Kosovës, Valon Berisha, i cili në edicionin debutues te Lazio hasi në lëndime të shpeshta.
“Berisha ka pasur disa lëndime edicionin e kaluar. Ai mund të luajë mirë, është i fortë dhe ka përvojën e duhur. Mund të jap shumë për Lazion”, potencoi Samir Ujkani.
Se Italia ka portierë të talentuar, këtë e ka pranuar Ujkani i cili ndër të tjerash ka përmendur dy emra.
Sipas Ujkanit, Alex Meret i Napolit dhe Gianluigi Donnarumma janë portierë të talentuar.
“E vlerësoj tejmase Alex Meret. Ai është talent i mrekullueshëm, gjithashtu i mirë është edhe Gigi Donnarumma. Kjo është pozitive, një hap i rëndësishëm. Vetëm jepuni hapësirë lojtarëve të rinjë”, theksoi Samir Ujkani.
Të shtunën e 10 gushtit, gjiganti italian Milan zbarkon në Prishtinë për t’u përballur me kampionin e Kosovës në futboll Feronikelin në një ndeshje miqësore.
Miqësoren në fjalv e ka komentuar edhe Ujkani, i cili thotë se kjo është shumë e rëndësishme për sportin e Kosovës.
“Kjo është një mundësi e mrekullueshme për Kosovën. Kosovarët nuk mund të udhëtojnë në Evropë për ta parë Milanin dhe ky është një moment i veçantë. Shpresoj se do të jetë një ndeshje spektakolare”, përfundoi portieri 31-vjeçar, i cili është zgjedhja e dytë e Bernard Challandes te Përfaqësuesja e Kosovës pas Arijanet Muriç.