Një grup shkencëtarësh në Kanada kanë njoftuar një iniciativë të re për të përdorur drone për të mbjellë pemë të reja me çmim të ulët dhe të shpejtë, si pjesë e përpjekjes për të luftuar kundër efekteve negative të ndryshimit të klimës dhe shpyllëzimit.

I quajtur Flash Forest, ekipi filloi të testojë sistemet e tij përmes dronëve në gusht, me një fluturim provë që mbolli me sukses 100 pemë.

Këto rezultate ishin aq inkurajuese saqë i zgjeruan qëllimet e tyre për të përdorur sistemet e projektuara posaçërisht për të mbjellë një miliard pemë të reja deri në vitin 2028, transmeton KosovaPress.

“Çdo vit planeti humb 13 miliardë pemë dhe rifiton më pak se gjysmën e tij,” tha Bryce Jones nga ekipi në një video për mbledhjen e fondeve që njoftoi projektin.

“Ne filluam ‘Flash Forest’ me qëllim shërimin e mushkërive të planetit dhe marrjen seriozisht të asaj pune. Derisa ajo punë të bëhet mirë, asnjë punë tjetër nuk ka rëndësi.”

Dronët jo vetëm që mbajnë vetë farat, por edhe pjesë të dheut të pasur me lëndë ushqyese rreth tyre në formë zorre.

Mbushja e pasur me lëndë ushqyese mund t’i mbajë farat e mbjella gjallë deri në nëntë muaj, duke u dhënë atyre mjaft kohë për të zënë rrënjë në mjedisin lokal.

Sistemi do të lejojë që një pilot të veprojë deri në dhjetë dronë njëkohësisht. Sipas ‘Flash Forest’, dronët e tyre të tanishëm mund të mbjellin fara brenda pak sekondash, duke e bërë objektivin më të mundshëm sesa mund të tingëllojë.

Grupi thotë se sistemi i tyre i telekomanduar mund të mbjellë pemë dhjetë herë më shpejt se sa një punëtor njerëzor.

Këtë verë, një çift brazilian tregoi fuqinë e ripyllëzimit kur ata treguan rezultatet e projektit të tyre 20- vjeçar për të rikthyer pemët në një copë tokë prej 1,750 hektarë që më parë ishin përdorur për kullotje të bagëtive.

Rezultatet tronditëse shkaktuan që lumenjtë e thatë më parë të rrjedhin me ujë, ndërsa më shumë se 170 lloje zogjsh dhe 30 lloje gjitarësh u kthyen në mbulesën pyjore pasi më parë ishin larguar për shkak të mungesës së strehimit dhe burimeve ushqimore.

Ripyllëzimi është një iniciativë që synon të ribëjë pemë në zonat që kanë parë humbje të konsiderueshme të pyjeve.

Pyjet janë një nga mënyrat më efikase për kapjen dhe ruajtjen e dyoksidit të karbonit, një gaz i zakonshëm dhe i rëndësishëm i serrës.

Shkencëtarët besojnë se nismat e përhapura të ripyllëzimit mund të luanin një rol në ngadalësimin ose madje edhe kthimin e ndryshimit të klimës duke ulur sasinë e dyoksidit të karbonit në atmosferë.

Ripyllëzimi ka përfitime të tjera, duke përfshirë moderimin e temperaturave lokale, rritjen e biodiversitetit, parandalimin e humbjes së ujit dhe krijimin e formave të reja të burimeve ushqimore

Share.