Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të seancës së 22 gushtit, më konkretisht vendimit të Kuvendit të Kosovës.

Shpërbërja e tij do të thotë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe natyrisht angazhim për këtë institucion në organizimin e këtyre zgjedhjeve të paplanifikuara në këtë vit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar për Indeksonline se janë në pritje të zhvillimeve në Kuvend dhe se aktualisht nuk mund të fillojnë me përgatitje intensive pa shpalljen e zgjedhjeve.

“KQZ-ja është në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës dhe në këtë situatë, për aq sa i takon KQZ-së, ne jemi në gjendje gatishmërie për të filluar me përgatitjet intesive, pasi të udhëzohemi për këtë gjë”, tha Elezi, duke shtuar se ky institucion do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore, kurdo që i kërkohet.

I pyetur nëse këto zgjedhje mund të kushtojnë 4 milion euro, aq sa zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2017, ai nuk dha ndonjë shifër të planifikuar.

“Nuk kemi akoma një dokument të konkretizuar. Jemi në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës dhe KQZ-ja do të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore që ka”, tha Elezi.

Më 22 gusht Kuvend i Kosovës do të mblidhet për përmbylljen e mandatit të tij, dy vjet para kohe. Për shpërndarjen e tij duhen së paku 80 vota Për.

Share.