Ekipi Olimpik i Kosovës ka parakaluar për herë të parë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj “Lozana 2020”, të cilat u hapën edhe zyrtarisht sonte.
Ceremonia hapëse u mbajt në Palestrën Valdoise Arena në Lozanë të Zvicrës, para rreth 8 mijë shikuesve. Bartës i flamurit tonë ishte skitari Drin Kokaj.
79 ekipe Olimpike defiluan në hapje, ndërsa gjatë ceremonisë u shfaqën artistë të ndryshëm kryesisht zviceranë, të cilët përmes programeve të ndryshme artistike e bënë edhe më madhështore hapjen.
Të pranishmëve iu drejtuan me nga një fjalë rasti presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach dhe presidentja e “Lozanë 2020”, Virginie Faivre, para se të shpallnin të hapura Lojërat bashkë me presidenten e Zvicrës, Simonetta Sommaruga, pas të cilëve u betuan sportistët, gjyqtarët dhe trajnerët.
LOD për të rinj “Lozana 2020” do të vazhdojnë deri më 22 janar 2020.
Kosova përfaqësohet me skitarët e skijimit alpin: Drin Kokaj e Era Shala. Era debuton të dielën me garën në sllallom të madh.