Adhuruesit e filmave dramë-thriller e gjetën veten duke bërë krahasime mes filmit “Deadly Illusions”, një film në Netflix me regji dhe skenar të Anna Elizabeth James dhe protagonistë Kristin Davis, Dermot Mulroney, Greer Grammer dhe Shanola Hampton, dhe historisë tronditëse të familjes Turpin.
“Deadly Illusions” i përqendron ngjarjet te çifti i martuar Mary dhe Tom Morrison, të cilët punësojnë një dado të re, Grace. Mary, shkrimtare e suksesshme e historive me mister, ndjen se Grace i jep një energji shumë të mirë për të qenë e vërtetë. E ndikuar nga procesi i të shkruarit, ajo nis të ketë fantazi seksuale për Grace. Sigurisht që filmi nuk është bazuar kryekëput te historia e familjes Turpin (për të cilën do të flasim në vijim), por ka disa detaje për të cilat njerëzit janë të mendimit se i referohen kësaj ngjarjeje – abuzimi në fëmijëri.
Rasti i familjes Turpin
Familja Turpin u vendos në qendër të vëmendjes së policisë dhe publikut në vitin 2018 si një rast i rëndë i keqtrajtimit të fëmijëve. Më 14 janar, një fëmijë nga familja Turpin u arratis nga shtëpia e David dhe Louise Turpin në Perris, California dhe kontaktoi policinë, e cila më pas bastisi shtëpinë dhe gjeti prova shqetësuese të abuzimit të zgjatur dhe kushteve torturuese të jetesës.
David dhe Louise Turpin e shihnin veten si ithtarë të lëvizjes Quiverfull – një qëndrim teologjik që i sheh fëmijët si bekim nga Zoti dhe inkurajon lindjen – dhe Pentekostalizmit, kjo e fundit një lëvizje e krishterë protestante që thekson përvojën e drejtpërdrejtë personale me Zotin përmes pagëzimit me Shpirtin e Shenjtë. Sipas prindërve të Davidit, çifti bënte fëmijë sepse “Zoti donte”. Nga viti 1988 deri në vitin 2015 ata kishin dhjetë vajza dhe tre djem. Të gjithë emrat e fëmijëve fillojnë me shkronjën “J”.
![Historia e vërtetë pas ‘Deadly Illusions’ është](https://cdnimpuls.com/o.anabel.al/media3/-785-0-60589ae0a7ae9.jpg)
Sipas motrës së Louise, ajo (motra), Louise dhe një kushërirë femër ishin abuzuar seksualisht si fëmijë nga gjyshi i tyre nga nëna. Një motër tjetër pohoi se nëna e tyre pranoi para në këmbim të lejimit të gjyshit që t’i abuzonte seksualisht. Motrat kanë thënë se Louise u fiksua me magji dhe rituale satanike.
Në vitin 1999, David dhe Louise u larguan nga shtëpia në Texas për në Rio Vista dhe më pas u larguan prej andej në vitin 2010. Pasi familja u largua, fqinjët gjetën jashtëqitje dhe shtretër me litarë të lidhur në shtëpi, së bashku me mace të ngordhura dhe grumbuj mbeturinash.
Fëmijët nuk qëndronin gjatë gjithë kohës brenda. Kur dilnin, visheshin njësoj.
Arratisja dhe shpëtimi
Më 14 janar 2018, dy nga vajzat u larguan nga shtëpia përmes një dritareje. Njëra prej tyre, 13 vjeç, u frikësua dhe u kthye mbrapsht, por tjetra, 17 vjeç, u largua dhe telefonoi 911 përmes një celulari që kishte marrë në shtëpi. Policia hyri në shtëpi, brenda së cilës gjetën dymbëdhjetë fëmijët e tjerë; njëri ishte prangosur në shtrat dhe dukej se dy të tjerë kishin qenë të prangosur para se të vinte policia.
Fëmijët ishin aq të kequshqyer sa policët menduan se ishin të gjithë nën 18 vjeç, kur në fakt shtatë ishin mbi 18 vjeç.
Për vite me radhë, prindërit i kishin burgosur, rrahur dhe mbytur, duke i lejuar të hanin vetëm një herë në ditë dhe të bënin dush vetëm një herë në vit. Fëmijët e rritur dukeshin shumë më të vegjël për shkak të kequshqyerjes; një fëmijë 29 vjeç peshonte vetëm 37 kg. Disa kishin mungesë të njohurive themelore të botës, për shembull nuk e dinin se për çfarë përdoreshin ilaçet apo çfarë ishte policia.
Çështja konsiderohet e jashtëzakonshme për shumë arsye, përfshirë abuzimin që u është shkaktuar fëmijëve të shumtë nga të dy prindërit dhe natyra sistematike e abuzimit dhe torturave.
Në shkurt 2019, ata u deklaruan fajtorë për 14 akuza krimi, përfshirë mizorinë ndaj një të rrituri, mizori ndaj fëmijëve, tortura etj. Në prill të 2019, u dënuan me burgim të përjetshëm me mundësinë e lirimit me kusht pas 25 vjetësh.
Të gjithë fëmijët kaluan disa javë nëpër spitale. Gjashtë të miturit u vendosën në dy shtëpi strehimi. Më vonë, zyrtarët u shprehën se disa jetojnë të pavarur, kanë punën e tyre dhe disa të tjerë po shkollohen; disa punojnë vullnetarë në komunitet, shkojnë në kishë dhe një ka mbaruar kolegjin. /TV Malisheva