Sot u bënë 22 vite nga masakra më e madhe në Komunën e Malishevës, e që njihet si masakra e Burimit, ku u vranë dhe më pas u masakruan 42 civil, kryesisht nga fshatrat Astrazup dhe Dragobil. Në nderim të të rënëve në këtë masakër, sot janë bërë homazhe në vendin rënies, si dhe në varrezat ku prehen trupat e tyre.
Homazhe dhe nderime, bashkë me familjarët kanë bërë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me qeverinë komunale, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jetmire Vrenezi, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, së bashku me anëtarët e Kuvendit të Komunës, komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, mulla Sead Paçarizi, dhe qytetarë e zyrtarë të shumtë.
Më 31 mars të vitit 1999, tek Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës, forcat ushtarake serbe, kanë vrarë dhe kanë masakruar 42 qytetarë civil të pafajshëm, nga fshatrat Astrazup dhe Dragobil, si dhe tre qytetarë të Komunës së Suharekës, të cilët ishin strehuar me familjet e tyre në Dragobil.
Kjo edhe është masakra më e madhe në Komunën e Malishevës, ndërsa për këtë krim të rëndë, nuk është dënuar asnjëherë asnjë nga urdhërdhënësit dhe autorët./TV Malisheva