MIHAL GRAMENO (13 janar 1871) dhe vdiq më 5 shkurt 1931. E përligji kalesën e tij në botën shqiptare në përkushtim atdhetar, luftë për lirinë e popullit të vet dhe krijimtari të gjerë në letërsi, teatër dhe publicistikë, e cila kjo është edhe fusha e tij më spikatëse. U lind në Korçë në një familje tregtare, u shkollua në vendlindje dhe më 1885 mërgoi në Rumani, ku në Bukuresht u përfshi në lëvizjen kombëtare shqiptare, madje si sekretar i gazetës “Drita, më 1889. Në vitin 1908, Mihal Grameno është i pranishëm në Kongresin e Manastirit, si përfaqësues i Klubit të Korçës. Në vitin 1909 themeloi në Korçë “Lidhjen Orthodokse” dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër, në vitet 1909 – 1910. Në vitin 1910 u arrestua nga autoritetet osmane. Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë e redaktojë të përjavshmen “Koha”, fillimisht në Korçë dhe më pas në Jamestown, NY, ku jetoi në vitet 1915-1919. Ishte detyruar të largohej nga Shqipëria mbas shpërthimit të Luftës I Botërore. U kthye në Evropë për të përfaqësuar shqiptaro-amerikanët në Konferencën e Paqes në Paris. Vazhdoi të shkruajë e të botojë, por më vonë u tërhoq nga lëvizja kombëtare i sëmurë dhe i dëshpëruar. Vdiq në Korçë, më 5 shkurt 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”. I përjetshëm kujtimi e tij! * * * Edhe pse Mihal Grameno dha një ndihmesë të çmuar për kombëtarizimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri, ai vazhdon të shpërnjihet dhe të mohohet nga regjimi i sotëm shkombëtarizues në KOASh, ashtu si gjithë figurat dhe personalitetet ortodokse të sfondit kombëtar. Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani (Fatmir Pelushi), jo vetëm që nuk kryen përkujtimore për Mihal Gramenon, por ndalon priftërinjtë e Korçës për të bërë përshpirtje për korçarin e madh. Në të kundërt, në kishat e Korçës kryhen rregullisht shërbesa kombëtare greke, ndërsa klerikët e Mitropolisë së Korçës marrin pjesë në shërbesa ku nderohen personazhe që kanë kryer akte terroriste në Shqipëri. Nuk dihet nëse urrejtja për Mihal Gramenon rrjedh nga zemra e z. Fatmir Pelushi, apo është peng i bashkëpunimit të tij me tri shoqata nacionaliste greke që veprojnë në Korçë. Nëse Mitropoliti i Korçës nuk është rekrutuar nga shërbime të huaja, siç besohet në komunitetin ortodoks, përse të ndalojë përshpirtjet për Mihal Gramenon, Petro Luarasin, Papa Kristo Negovanin, etj?

Share.