Kryeministri britanik Boris Johnson sot tha se ai beson se e gjithë Britania u uron gjithçka më të mirë Princit Harry dhe Meghan pasi çifti vendosi të tërhiqet nga funksionet e tyre të mëparshme në familjen mbretërore.
“Unë mendoj se i gjithë vendi u uron atyre më të mirën në të ardhmen”, tha Johnson për Sky News në Berlin, ku po merr pjesë në një samit mbi Libinë.
“Dhe siç thashë më herët … Jam i sigurt se familja mbretërore, e cila ka qenë këtu për një kohë shumë të gjatë, do të vazhdojë në rrugën e duhur,” tha kryeministri britanik.
Pallati Buckingham njoftoi të shtunën se Princi Harry dhe gruaja e tij Meghan nuk do të marrin më para publike për detyrat mbretërore, nuk do të përdorin titujt e tyre si Lartësia Mbretërore dhe nuk do të përfaqësojnë më zyrtarisht mbretëreshën britanike, transmeton TV Malisheva
Duka dhe Dukesha e Sussex këtë muaj kanë shkaktuar një krizë në familjen mbretërore, duke njoftuar se ata duan të zvogëlojnë detyrat e tyre mbretërore dhe të kalojnë më shumë kohë në Amerikën e Veriut, dhe se ata duan të jenë të pavarur financiarisht.
Mbretëresha dhe familja e saj në ditët e fundit janë pajtuar me zyrtarët e qeverisë se kjo do të vihet në praktikë.
Pallati njoftoi se Harry dhe Meghan nuk do të merrnin më para publike për detyrat mbretërore dhe do të kthenin paratë që shpenzuan për rinovimin e shtëpisë së tyre në Windsor në vlerë 2.4 milionë funte.
Ndryshimet hyjnë në fuqi këtë pranverë, njoftoi pallati, duke mos pranuar të komentojë marrëveshjet e sigurisë të bëra për Harry dhe Meghan.