Google po hyn më tej në biznesin e “shpëtimit të jetëve”.

Kjo pasi që gjiganti i internetit tashmë ka njoftuar se përdoruesit e telefonave Android në Zelandën e Re dhe Greqi do të marrin paralajmërime për tërmete që do të godasin vendet e tyre.

Dhe ato tërmete do të zbulohen jo nga sizmometrat e zakonshëm, por nga vetë telefonat, përcjell Telegrafi.

Siç edhe dihet, tërmetet janë një kërcënim i njohur në të dy vendet.

Në Zelandën e Re, Pacific Plate përplaset me Australian Plate dhe kjo rregullisht shkakton tërmete të mëdha, përfshirë një goditje të vitit 2011 në Christchurch që vrau gati 200 njerëz.

Greqia është gjithashtu nëpër tri pllaka tektonike, me tërmete me dëme jo të vogla – një dukuri gati-vjetore.

Por asnjë nga vendet nuk ka vendosur një sistem paralajmërimi operacional.

Kjo krijoi një mundësi për të bërë një ndryshim, thotë Marc Stogaitis, inxhinieri kryesor i projektit në Google.

“Ne kemi dy probleme të mëdha që duam të zgjidhim: zbulimin e tërmeteve sa më shpejt të jetë e mundur dhe dërgimin e alarmeve sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sisteme të tilla të paralajmërimit të hershëm të tërmeteve përfitojnë nga një fakt i thjeshtë: Shpejtësia e dritës udhëton më shpejt përmes kabllove me fibra optike të internetit sesa valët e një tërmeti.

Sistemet tradicionale të paralajmërimit përdorin sizmometrat për të zbuluar fuqinë e një tërmeti, pastaj transmetojnë një paralajmërim, përmes smartphone ose altoparlantëve, për banorët që mund të ndiejnë tërmetin.

Paralajmërime të tilla, edhe nëse vijnë vetëm disa sekonda para se të godasë një tërmet, mund t’u japin njerëzve kohën e mjaftueshme për tu shtrirë në dysheme, për t’u futur poshtë një tryeze ose për t’u mbajtur derisa të ndalet lëkundja.

Këto sisteme janë të fuqishme, por ato janë të vështira dhe të kushtueshme për tu zhvilluar.

Dhe një sistem paralajmërimi për tërmet që mund të heqë dorë nga këto shpenzime dhe të mbështetet në të në smartphone-et ka një potencial të jashtëzakonshëm globalisht, thotë Men-Andrin Meier, një sizmolog që studion sistemet e paralajmërimit të tërmetit në ETH Cyrih.

“Nëse mund ta bësh vetëm me telefona, përmes Google, kjo është një diçka e madhe”, vlerëson ai.

Ndërkohë siç vënë në pah mediat, sistemi i Google funksionon sepse secili telefon është tashmë i pajisur me një akseleometër, i cili mund të zbulojë lëvizjet.

Akselerometri gjithashtu mund të zbulojë valët e tërmetit primar dhe sekondar, pothuajse duke vepruar si një “mini sizmometër, duke u bashkuar me miliona telefona të tjerë Android atje për të formuar rrjetin më të madh në botë për zbulimin e tërmeteve”, sipas Google.

Sizmometrat janë pajisje që zbulojnë lëvizjen e tokës, si tërmetet.

Sidoqoftë, ka disa kufizime në sistemin e Google.

Njerëzit më të afërt me tërmetin ndoshta nuk do të marrin shumë paralajmërime paraprake pasi që “ata do të jenë të parët që do të zbulojnë tërmetin”.

Por telefonat e tyre do të ndihmojnë për të “ngritur alarmin” për të tjerët më larg, duke u dhënë atyre një kohë vendimtare për t’u strehuar. /TV Malisheva

Share.