Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha në një intervistë se ka ardhur koha për një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ibrahimi konsideron se me uljen e lakores së rasteve me Covid-19, masat duhet të liberalizohen siç është heqja e orës policore.
“Në takimin e fundit që Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka pas me ministrin Arben Vitia është diskutuar sa i përket rishikimit të masave që ndodhën më 18 prill, mirëpo është diskutuar që në të ardhmen të shikojmë mundësitë me rënien e numrit të të infektuarve dhe po shihet që lakorja është në rënie e sipërme fatmirësisht dhe këtu mund të themi që ka qenë një kontribut i jashtëzakonshëm i komunave sa i përket menaxhimit të suksesshëm me mospërhapjen e Covid-19 në këtë kohë”.
“Po mendojmë që ka ardhur kohë që të ulemi përsëri Komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht kryetarët e komunave me ministrin Vitia të shqyrtohet dhe të jepet një analizë se sa kanë pasur efekt masat, dhe të shikojmë mundësitë për liberalizmin e tyre në të ardhmen”, është shprehur ai.
Më tej Ibrahimi ka thënë se në takimin e fundit me ministrin e shëndetësisë, kryetarët veçse e kanë argumentuar se ora policore nuk ka dhënë ndonjë efekt.
“Neve edhe në atë kohë kryetarët e komunave kanë theksuar dhe e kanë argumentuar çështjen e orës policore dhe edhe në atë kohë kanë kërkuar që në territorin e Republikës së Kosovës të mos ketë orë policore sepse kanë argumentuar që një masë e tillë nuk e ka dhënë efektin aq të dëshiruar e aq të pritur dhe tash pasi që numri i të infektuarve fatmirësisht është në rënie e sipërme besojmë dhe shpresojmë që të jetë edhe në të ardhmen. Kërkesë e kryetarëve ka qenë poashtu që vaksinimi i qytetarëve të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës”.
Ibrahimi ka shprehur gatishmëri për takim të kryetarëve të komunave dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të biseduar për ndryshimin e masave anti-Covid.
“Zakonisht kur ka pasur ndonjë veprim sa i përket masave anti-Covid ka qenë iniciativë e ministrisë sepse ne, si Asociacion apo kryetarët e komunave nuk e dimë agjendën e ministrisë, sa i përket rishikimit të masave ne jemi të gatshëm në çdo kohë, në çdo moment t’i përgjigjemi ftesës së ministrit për rishikimin e masave sepse ato shkojnë në dobi të qytetarëve të Kosovës”, tha Ibrahimi
Poashtu Ibrahimi ka thënë se kryetarët e komunave të Kosovës kërkojnë që prioritet pos shëndetit publik të jetë edhe ai ekonomik.
“Është duke u vërejtur që kemi numër në rënie e sipërme, koha është duke u rregulluar, shtetet në rajon por edhe në Evropë janë duke i liberalizuar masat. E kemi një diasporë e cila ndikon fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit në veçanti zhvillimin ekonomik lokal dhe kryetarët e komunave gjithnjë kanë kërkuar që përveç që prioritet të jetë shëndeti publik, t’i jepet edhe një prioritet shëndetit ekonomik dhe të gjendet një balancë mes shëndetit publik dhe atij ekonomik. Mendojmë dhe besojmë që ka ardhur koha që të ulemi dhe të diskutojmë masat aktuale me ministrin Arben Vitia”, ka shtuar ai./TV Malisheva