Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, ka raportuar lidhur me këtë raport, i cili theksoi se nga 16 gjetjet e auditorit, nëntë prej tyre janë të adresuara e të përfunduara, tri janë në proces, ndërsa katër nuk janë adresuar, pasi sipas tij nuk është kompetencë e ASK-së për adresim.
Berisha theksoi se të gjitha gjetjet e auditorit presin t’i përmbushin deri në vitin e ardhshëm, teksa ka treguar edhe për blerjen e pajisjeve të tekonologjisë informative, si: kompjuterë dhe laptopë për zyrtarët e ASK-së, por jo edhe siç tha ai edhe pajisjet për sigurinë e të dhënave.
Ai po ashtu ka kërkuar mbështetjen institucionale me buxhet shtesë për sigurinë e të dhënave në këtë Agjenci.
Berisha: Teknologjia informative duhet të jetë departament i ri në ASK
“Gjetjen e parë që nuk ka bërë një vlerësim adekuat të gjendjes ekzistuese të pajisjeve, e kemi plotësuar qysh në fillim të vitit 2021, ku kemi blerë 107 kompjuter që mundësojnë takimet virtuale me institucionet ndërkombëtare dhe të tjera, sepse kjo ka qenë një problematikë dhe zyrtarët e lartë të cilët kanë qenë nën masat e ruajtjes së shëndetit për pandemi që iu është dashur të punojnë nga shtëpia, janë pajisur 40 zyrtarë që merren përpunimin e analizave dhe të dhënave me laptopë. Që t’iu krijohet mundësia të punojnë nga shtëpitë. Në gjetjen e dytë nuk kemi bërë progres për të arritur të krijojmë një ndarje adekuate të detyrave dhe përgjegjësive… Disa gjetje të cilat nuk janë realizuar janë pjesë e kësaj politikës tonë dhe në rregulloren e re për riorganizimin në përputhje me ligjin dhe sistematizimin e vendeve të punës është para parë që teknologjia informative të jetë departament i ri”, theksoi Berisha.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, theksoi se forcimi i kapaciteteve në ASK është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, sipas të cilës siguria e informacionit është ajo që i shqetëson të gjithë.
Bajrami: Të dhënat e ASK-së duhet të jenë të mbrojtura dhe të sigurta
“Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit është një raport tepër i rëndësishëm për shkak se pikërisht teknologjia e inflamacionit, softuerët të cilët shfrytëzohen, e që kanë ndikim të madh edhe në kualitetin e të dhënave, por natyrisht që këto ët dhëna duhet të jenë të mbrojtura dhe të sigurta”, theksoi Bajrami.
Ndërsa zëvendëskryetarja e Komisionit, Arta Bajralija nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se rezultatet e auditimit tregojnë se nuk ka mekanizma të nevojshëm për teknologjinë e informacionit në ASK.
Bajralija: ASK nuk ka vendosur mekanizmat e nevojshëm për kontrollet e teknologjisë së informacionit
“Rezultatet e Auditimit tregojnë se Agjencia përmes sistemeve të teknologjisë së informacionit në përgjithësi ka arritur të realizoj dhe të publikoi projektet statistikore të parapara me planin e publikimeve, megjithatë nuk kishte vendosur mekanizmat e nevojshëm për kontrollet e përgjithshme të teknologjisë së informacionit që përfshinë mjedisin në cilin aktivitet janë zhvilluar, operuar, menaxhuar dhe mirëmbajtur. Ka mungesë të vlerësimit adekuat të nevojave në fushën e teknologjisë së informacionit, ndarje jo adekuate të detyrave dhe përgjegjësive të stafit, si dhe ka staf të pamjaftueshëm të teknologjisë së informacionit”, theksoi Bajralija.
Edhe deputeti nga LVV Eman Rrahmani theksoi se gjetjet e këtij raporti janë serioze për shkak të mungesës së teknologjisë në nivelin jo të duhur.
Rrahmani: Të gjeturat e këtij raporti janë serioze
“Të gjeturat e këtij raporti janë serioze, për shkak që e vënë në dyshim të mungesës edhe të metodologjisë jo në nivelin e duhur, por edhe të pak pajisjeve teknologjike”, deklaroi Rrahmani.
Në anën tjetër, ndihmës auditori i përgjithshëm, Vlora Spanca dhe anëtari i Komisionit Hajdar Beqaj nga PDK kanë përgëzuar ASK-në për sa i përket përmbushjes së rekomandimeve të Auditorit, derisa deputeti Beqaj shprehi gatishmërinë që si Komision duhet kontribuar për sigurimin e buxhetit shtesë për këtë Agjenci.
Beqa: Ne si Kuvend duhet të kontribuojmë për shtimin e buxhetit për ASK
“Është për t’u vlerësuar efikasiteti i shpejtë i Agjencisë për masat që i ka marrë në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit. 9, theksuar se janë të kryera, 3 janë në proces, por këto 4 të gjeturat tjera, me sa kuptova është Udhëzimi administrativ që duhet me kaluar në Ministri të Financave, njëra prej këtyre të gjeturave, pra është ndërlidhur edhe me buxhet. Andaj, çka mundemi me bërë ne si Komision për të dhënë një kontribut nëse mundemi që me iu shtua ASK një buxhet, në mënyrë që këto katër të gjetura të mos jenë të përsëritura në raportin për vitin 2021-2022”, theksoi Beqaj.
Me përjashtimin e mediave nga mbledhja, nuk është bërë e qartë se a është votuar apo jo nga Komisioni raporti i auditorit për këtë Agjenci./TV Malisheva