Kjo është bërë e ditur sot nga sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere gjatë raportimit për shpenzimet e kuvendit për tremujorin e parë 2021.
Deputetët e opozitës shprehën pakënaqësinë e tyre për nivelin e ulët të shpenzimeve për projektet kapitale nga ana e parlamentit.
Sekretari Krasniqi theksoi se shpenzimet kapitale për këtë periudhë janë 254 mijë euro.
Krasniqi: Për paga kemi shpenzuar 1 milion e 313 mijë euro
“Sipas të dhënëve të prezantuara në raport për tremujorin e parë të vitit 2021, kemi këtë pasqyrë të shpenzimeve: te kategoria e pagave kemi shpenzuar 1 milion e 313 mijë euro ose 17.11 për qind për tremujorin e parë. Për mallra dhe shpenzime kemi 168 mijë e 103 euro shprehur në përqindje 10.38 për qind, për shpenzimet komunale 59 mijë e 825, për shpenzimet kapitale 254 mijë ose 19.82 për qind”, theksoi Krasniqi.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Bedri Hamza njëherësh anëtar i Komisionit, tha se shpenzimet të cilat kanë ndodhur në parlament janë brenda linjave buxhetore, por ka inkurajuar sekretarin dhe administratën e Kuvendit që të ketë një dinamikë më të lartë të shpenzimeve për projektet kapitale.
Hamza: Inkurajoj për një dinamikë më të mirë në realizmin e shpenzimeve kapitale
“Inkurajoj sekretin dhe administratën që të ketë dinamikë më të mirë në realizmin e shpenzimeve kapitale. E dimë që edhe pandemia ka shkaktuar probleme vitin e kaluar, mirëpo kemi pasur një situatë ku ka pasur një ekzekutim të shpenzimeve kapitale më pak se që është planifikuar se sa që kanë qenë nevojat. Shpresoj që këtë vit buxheti të realizohet, edhe pse Kuvendi është një organizatë buxhetore ku më se 70 për qind e totalit të buxhetit shkon për paga”, deklaroi Hamza.
Kryetari i Komisionit Armend Muaja ka pyetur sekretarin për kontratat e shërbimeve telefonik dhe ato këshillëdhënëse.
Muja: Për shërbimet telefonike a ke shkelje të Ligjit për konkurrencë
“Për shërbimet telefonik, si kontraktohen shërbimet telefonike. Cilat janë procedurat, a bëhet përmes procedurave të prokurimit publik? Sepse në të kaluarën ka pasur aludime që kontraktimi i drejtpërdrejtë i një operatori ekonomik mund ta thyejë Ligjin për konkurrencën në Kosovë… Sa i përket shërbimeve këshillëdhënëse në çfarë forme ato i komplimentojnë hulumtimet ekzistuese drejtorisë për hulumtime të Kuvendi”, ka pyetur Muja.
Sekretari Krasniqi në përgjigjen e tij, tha se kontrata për shërbime telefonike është vazhdimësi nga një operator sikur në çdo institucione tjetër qendror, derisa për kontratat këshilltarëve-ekspertëve të Komisioneve tha se ekspertët paguhen deri në 800 euro.
Krasniqi: Kontrata e për shërbime telefonike është vazhdimësi
“Në mes të Ministrisë së Administratës Publike në atë kohë me Postë-Telekomin e Kosovës, jemi shfrytëzues i të njëjtës vazhdimësi, por që kjo kontratë është valide siç është me institucionet tjera qendrore të Kosovës… Kategoria e shpenzimeve këshillëdhënëse është një organizim i tillë që komisionet parlamentare dhe komisioni hetimor kanë një buxhet të dedikuar për shfrytëzimin e ekspertëve. Sipas udhëzimit, një ekspert mund të paguhet më së shumti për një çështje deri në 800 euro, ndërsa te komisionet hetimore janë marrë tarifat e gjykatave komunale”, tha ai.
Me shumicë të votave, Komisioni vendosi që t’i rekomandojë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që ta miratojë raportin e shpenzimeve për tremujorin e parë 2021.
Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar edhe raportin vjetor financiar të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2020.
Drejtues të këtij Komisioni theksuan se ky autoritet në vitin 2020 kishte shqiptuar masë ndëshkuese administrative në shumë prej më shumë se 4 milionë euro ndaj 14 kompanive të derivateve për marrëveshje të fshehtë, ndërsa sipas tyre ky dënim ende nuk është paguar nga kompanitë e mëdha të naftës, pasi ende nuk ka një vendim nga gjykata.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar edhe raportin vjetor financiar të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për 2020, ku drejtori i përgjithshëm Bujar Sadiku ka bërë të ditur shumën prej 57 mijë eurove sa kanë qenë shpenzimet për paga dhe mëditje. /TV Malisheva